Zgjedhje të reja për Kryetar të Mitrovicës së Veriut

Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, ka deklaruar për B92 se do të përsëriten zgjedhjet për Kryetar Komune në Mitrovicën e Veriut. Kështu do t’i propozojë ai Qeverisë së Kosovës, e cila sot pritet ta japë vendimin.

Lajme

12/01/2014 22:07

Krstimir Pantic, i cili kishte fituar garën zgjedhore për ta udhëhequr Mitrovicën e Veriut, duket se do ta kthejë mbrapa tërë procesin, pasi që të dielën nuk pranoi ta nënshkruajë deklaratën e betimit.

Me arsyetimin se ajo përmbante Logon dhe Mbishkrimin e Republikës së Kosovës, sado që ato ishin mbuluar me një letër-ngjitëse, Pantic refuzoi ta marrë zyrtarisht në këtë mënyrë mandatin e Kryetarit.

Kështu, Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, ka deklaruar për B92 se do të përsëriten zgjedhjet për Kryetar Komune në Mitrovicën e Veriut, raporton B92.

Vendimin për këtë pritet ta japë sot Qeveria e Kosovës, pasi ta ketë pranuar raportin për ecurinë e seancave inauguruese për katër Komunat e Veriut nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Sipas B92, për shkak të refuzimit të Pantic për ta marrë mandatin, Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Mitrovicës së Veriut ta rizgjedhin Kryetarin e ri.

Petrovic, gjatë ditës, ka deklaruar për lajmi.net se vendimet që do t’i marrë Qeveria e Kosovës, pas publikimit të raportit nga MAPL, do të jenë në përputhje me Ligjet e Kosovës, ashtu siç ka ndodhur edhe për të gjitha Komunat tjera në vend.

“Do të ndërmarrim vendimet në përputhje me Ligjet e Kosovës. Raporti do të përcaktojë çdo gjë dhe do të jetë i përpiluar duke respektuar Ligjet e Kosovës”, ka thënë Petrovic për lajmi.net.