Zgjedhje të mira, tash sfida ekonomike

Lajmi më i rëndësishëm nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë mund të ketë qenë ai që, në krahasim me zgjedhjet e fundit nacionale, votimet u mbajtën pa probleme, shkruan e përditshmja e Bostonit, The Christian Science Monitor.

Lajme

10/06/2014 10:09

Ndër sukseset e këtyre zgjedhjeve, gazeta konstaton pjesëmarrjen e serbëve në veri për herë të parë në zgjedhjet parlamentare ‘që kur shteti më i ri i Evropës shpalli pavarësinë’.

Më tej, duke u rikthyer në fushatën e zhvilluar, thuhet se pak ose fare nuk u fol për negociatat me Serbinë, por fushata u përqendrua në një çështje që është bërë më kryesore për votuesit: papunësia e lartë dhe pagat e ulëta në njërin nga vendet më të varfra të Evropës.

Analisti dhe ish zyrtar i Departamentit të Shtetit, Daniel Serwer në një reflektim të tij për zgjedhjet thotë se disa miq të tij donin ndryshim në pushtetin politik dhe janë të pakënaqur me rezultatin, por miq të tjerë po festojnë për fitoren e PDK-së me gjithë diferencën e ngushtë seç e kishin dëshiruar.

“Dëshira ime më e madhe u përmbush: para syve vigjilentë të shumë të vëzhguesve, zgjedhjet duket se kanë qenë të pastra”, thotë Serwer.

Analisti Serwer thotë se sfida më të madhe me të cilën do të përballet fituesi, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi apo ndonjë tjetër kryeministër gjatë katër viteve të ardhshme, do të jetë ajo ekonomike.

“Kosova ka nevojë për më shumë investime për të krijuar vende pune për popullatën e saj të re me rritje të shpejtë. Një drejtim i duhur do të ishte përmirësimi i kushteve për investime private, vendëse dhe ndërkombëtare”, thotë Serwer dhe shton se pavarësisht problemeve, zgjedhjet e drejta përbëjnë një bazë të shëndoshë, ndërsa synime përfundimtare mbeten anëtarësimi në NATO dhe në BE.

“Tani Kosova duhet të vendosë se si të bëjë progresin gjatë katër viteve të ardhshme. Vendi ka shkuar shumë larg nga ai që ishte kur shpalli pavarësinë gjashtë vjet më parë, por është ende edhe më larg nga synimet që ka”. /RTK/