Zgjedhje të Kosovës

Presidentja Atifete Jahjaga thotë se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit organizohen nga Kosova dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë bashkëqeverisje apo bashkë-organizim.

Lajme

27/09/2013 10:23

Zgjedhjet i bën Kosova. Beogradi nuk ka hise në to.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se pushteti lokal në zgjedhjet e 3 nëntorit do të nderohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Jahjaga është shprehur se integrimi i serbëve të veriut brenda institucioneve të Kosovës është plotësisht i mundur dhe se nuk sheh ndonjë arsye që një gjë që ka ndodhur në komunat tjera të Kosovës, të mos ndodhë edhe në komunat e veriut.

Ajo i ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb, sikur edhe pjesëtarët e të gjitha komuniteteve tjera, që sa më masovikisht të dalin në votime për t’i zgjedhur drejtuesit e institucioneve lokale.

“Duke marrë parasysh të kaluarën dhe funksionimin e strukturave të jashtëligjshme, e vlerësojmë angazhimin e Serbisë për t’i dhënë fund mbështetjes për to dhe për t’i shpërbërë ato, edhe në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Shpërbërja e këtyre strukturave i liron qytetarët nga anarkia dhe nga pushteti i grupeve kriminale e gjithashtu edhe nga imponimi i udhëheqjeve qeverisëse kundër vullnetit te tyre.

“Një gjë duhet të jetë e qartë: Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje dhe as bashkë-organizim të tyre. Kosova i organizon, i mban, dhe është përgjegjëse për zgjedhjet komunale dhe zgjedhjet e tjera në territorin e saj”.

“Ligjet e Kosovës duhet të respektohen dhe ne do të jemi përkrah qytetarëve tanë të komunitetit serb, posaçërisht në pjesën veriore të territorit të Kosovës, për t’iu ndihmuar në procesin e integrimit”.