Zgjedhja e Thaçit president, analistët me vlerësime të ndryshme

Zgjedhja e presidentit të Kosovës nën tensione e protesta, nga analistë të çështjeve politike vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Lajme

27/02/2016 12:01

Analisti i çështjeve politike Halili Matoshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se kjo mënyrë e zgjedhjes së presidentit të Kosovës mund të thellojë krizën politike e cila aktualisht është në vend.

“Zgjedhja e zotit Thaçi për kryetar të shtetit, në shtet rrethimë, pa opozitë në Kuvend e thellon krizën edhe ashtu të gjatë në vend dhe kurrë nuk do të bëjnë shef të mirëfilltë të shtetit, por ai do të mbetet shef i pjesës më fanatike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe i disa deputetëve të paqëndrueshëm dhe lehtë të shantazhuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thekson Matoshi.

Duke e komentuar votimin që kanë bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjen e presidentit, Matoshi ka theksuar se vendi ka deputetë jo serioz.

“Shihet se Kuvendi i Kosovës është i përbërë nga njerëz jo kredibil, qytetarët e Kosovës kanë votuar njerëz të paqëndrueshëm, madje edhe injorantë, sepse prej raundit të parë, të dytë e të tretë pati aq shumë lëvizje qesharake, një herë voton, herën tjetër nuk votojnë, kjo është qesharake për një deputet serioz”, thekson Matoshi.

Sa i përket partive politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, Matoshi ka theksuar se duhet të shkëputen nga aktet e dhunës.

Në anën tjetër Analisti i çështjeve politike, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se edhe përkundër rrethanave të tensionuara gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, është pozitive për vendin përmbyllja e këtij procesi.

“Populli i Kosovës më në fund ka ditur të menaxhojë vetveten dhe këtë situatë tejet të rëndë. Ajo çka do të thosha është që në këtë ditë në përgjithësi duhet t’i jemi falënderues popullit dhe policisë së Kosovës, që duke u përmbajtur dhe duke u përpjekur të menaxhojë situatën, arriti të pengojë manifestimin e dhunës që do t’i bënin dëm të madh Kosovës”, thekson Hasani.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Hasani ka theksuar se Kuvendi i Kosovës,si asnjëherë më parë ka arritur ta menaxhojë situatën në mënyrë më të matur politikisht.

Përfundimisht, shton Hasani jeta institucionale është e lënduar, por do të arrijë të marrë veten.

“Urojë që presidenti i ri i Kosovës të marrë vetveten dhe të jetë sinonim i unitetit, sinonim i politikës së unifikimit dhe i ndërtimit të jetës së mëtejme të jetës institucionale në Kosovë”, shton Hasani.

Procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës është bërë nën tensione të shtuara politike dhe përplasje të dhunshme në Prishtinë.

Hashim Thaçi ka arritur të marrë votat e nevojshme për President të Kosovës vetëm në rrethin e tretë të votimit.