Zgjedhja e presidentit: A mund të bie ndesh me Kushtetuesen?

Nesër në orën 11:00, do të mbahet seanca solemne për zgjedhjen e presidentit. Kandidat janë kreu i PDK-së, Hashim Thaçi dhe deputeti i po kësaj partie Rafet Rama.

Lajme

25/02/2016 14:20

Zgjedhja e presidentit të vendit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, kështu thotë neni 86 i Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu, në bazë të këtij neni kushtetues, Gjykata Kushtetuese (GJK) kishte nxjerrë aktgjykimin në rastin e zgjedhjes së presidentit të atëhershëm, Behgjet Pacolli. Por aktgjykimi i 2011-së jep sqarime që në rrethanat aktuale mund ta bëjnë të pamundur zgjedhjen e Presidentit.

Pika 5 e këtij neni thotë se nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilat kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Edhe në rregulloren e Kuvendit neni 27 pika 4, thuhet se zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit. Ndërsa pika 5 e nenit 27 të kësaj rregullore thotë se nëse asnjë kandidatë nuk i merr dy të tretat e votave në votimet e para dhe të dyta, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve të cilët kane marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë. Kandidati që e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve në votimin e tretë, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Tomë Gashi, avokat, tha se sa zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të bazohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me rastin e zgjedhjes së ish presidentit, Behgjet Pacolli.

“Unë mendoj se ai shërbim i keq që ka e ka bërë GJK në vitin 2011 sa i përket zgjedhjes së Behgjet Pacollit, tani do ti kushtoj edhe vetë Hashim Thaçit. Nëse merret interpretimi i këtij aktgjykimi, nëse nuk ka interpretime të tjera nga GJK, në vitin 2016 është e pa mundshme jo Hashim Thaçi por secili pretendent që tani për tani nuk përkrahet nga opozita të zgjidhet president i Kosovës. Situata është shumë e qartë, në bazë të dispozitave kushtetuese presidenti mund të zgjidhet nëse për të votojnë shumica e deputetëve prezentë, që në bazë të aktgjykimit të GJK-së në rastin e vendosjes për ligjshmërinë e zgjedhjes së ish presidentit Behgjet Pacolli, Gjykata Kushtetuese faktikisht ka konstatuar se duhet fillimisht të jenë, ose kanë obligim së paku moral që të jenë, të gjithë deputetët prezent në sallën e Kuvendit të Kosovës, përveç atyre që kanë marrë leje nga kryesuesi i Kuvendit. Pastaj nëse nuk zgjidhet në rastin e parë, shkohet në votimin e dytë ku mjaftojnë dy të tretat e deputetëve”, tha Gashi për KosovaPress.

Avokati Tomë Gashi tha se nëse kandidatët për president kanë probleme me opozitën, atëherë është e pamundshme që ai të zgjidhet president i vendit.

Ai po ashtu tha se ka pasur paqartësi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me rastin e Pacollit për numrin e deputetëve që duhet të jenë në sallë gjatë votimit.

“ Pengesa kryesore është Kushtetuta e Kosovës dhe pengesa e dytë është aktgjykimi i GJK-së të vitit 2011. Çdo formë tjetër do të jetë shkelje e ligjeve dhe me siguri që pa opozitën është e pamundshme që në mënyrë të drejtë të ligjshme dhe kushtetuese të zgjidhet një pretendent që pretendon të bëhet kryetar i Kosovës. Aktgjykimi ka shumë mangësi edhe vetë aktgjykimi i cili në atë kohë është përdorë kushtimisht kundër Behgjet Pacollit, i cili e ka shkarkuar nga të qenurit president i Kosovës, por tani ky aktgjykim mund ti hakmerret secilit që nuk e ka bekimin e opozitës”, tha Gashi.

Sipas tij, kjo që po ndodh është një kaos total dhe një zgjedhje jo e drejtë kushtetuese. Dëmin më të madh Thaçit nuk është duke ja bërë opozita po është duke ja bërë Gjykata Kushtetuese me nxjerrjen e aktgjykimit të vitit 2011 që mundet në mënyrë analoge të përdoret si në rastin e shkarkimit të Behgjet Pacollit, tha Gashi.

Nga ana tjetër, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha se Pacolli është rrëzuar për shkak të kuorumit, ndërsa nuk di se si do të veprohet të premten në Kuvend.

“Njëherë Pacolli është rrezuar për shkak të kuorumit. Duhet me qenë të gjithë deputetet në momentin e zgjedhjes së kryetari të shtetit, pastaj dy e treta minimum duhet me qenë sipas praktikes së deritashme. Me 61 vota duhet të zgjidhet. Tash ata janë bërë gazi i dynjasë, nuk dua të futem më shumë në këto situata sepse është politizuar sa që është e tmerrshme për çdo njeri”, ka deklaruar Daci përmes telefonit.

Përndryshe, në rastin e ish presidentit Pacolli aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se është shkel neni 86 i Kushtetutës.

Në interpretimin atë kohë të Gjykatës Kushtetuese për rastin e ish presidentit Behgjet Pacolli, thuhet; “Lidhur me këtë, Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86.4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2 -at) e “votave të të gjithë deputetëve” të Kuvendit , që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputet të cilët kanë marr leje nga Kryetari i Kuvendit dhe kandidati i cili merr 80 ose më shumë vota nga votat e të gjithë deputetëve (në raundin parë dhe të dytë) do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrin dy të tretat e shumicës , mbahet raundi i tretë. Neni 27 i Ligjit për deputetët dhe neni 27.4 i rregullores së punës së Kuvendit mbanë formulim identik të fjalëve: “dy të tretat (2 ) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Nga procesverbali i seancës së jashtëzako0nshme , mbajtur me 22shkurt 2011. Shihet se para se të fillonte votimi , fillimisht ishin të pranishëm 81 deputet. Megjithatë kur votimi filloj , vetëm 67 deputet ishin të pranishëm dhe morën pjesë në votim, ndërsa deputetët e tjerë ishin larguar nga salla e Kuvendit. Kushti i nenit 86, që të gjithë deputetët duhet të votojnë, megjithatë nuk u plotësua. Për më tepër , raundi i dytë i votimit ndodhi në rrethana të njëjta, ndërsa në raundin e tretë, z Behgjet Pacolli kandidati i vetëm i dominuar, u zgjodh President i Kosovës me 62 vota nga 67 vota.

Gjykata konkludon se, meqë vetëm 67 deputetë morën pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, mbajtur në shkurt 2011, neni 86 i Kushtetutës u shkel”. /kp