Zëvendësministri i dërgon kryeministrit ‘raport shkencor’ për ndotjen

Zëvendësministri Kurtan Kajtazi thotë se duke jetuar afër kombinatit Trepça, i di edhe ndikimet negative që ka në ambient, duke shtuar se aktivitetet minerare prishin edhe bukurinë e peizazhit.

Lajme

03/08/2018 22:18

“Duke jetuar kombinatit xehtaro-metalurgjk Trepça, duke ditur për ndikimet negative që ka pasur në mjedis gjatë shekullit të kaluar sa ka punuar me kapacitet të plotë … jam fokusuar në një analizë bashkë me ekspertet e Trepçës në hulumtimin e ndikimit në mjedis”, thuhet në raportin e tij.

Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit Kurtan Kajtazi, në raportin 100 ditor të punës së tij dorëzuar Kryeministrit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thotë se ka përgatitur një raport për gjendjen aktuale të Trepçë, ndikimin në mjedis dhe më vonë do të përgatis edhe rekomandime për masat që duhet të merren për përmirësimin e gjendjes mjedisore në Trepçë dhe ambientet rreth saj.

Ai thotë se në prezantimin e ndikimeve mjedisore janë marrë parasysh projekte dhe analiza të ndryshme për mjedisin dhe se përveç vlerësimit të gjendjes së tashme dhe të kaluarës, janë përpjekur të tregojnë edhe për të ardhmen e mjedisit në zonat e njësive të Trepçës dhe përreth.

“Aktivitetet minerare pashmangshëm ndikojnë në krijimin e sasisë së llumit duke u depozituar dhe si pasojë ndikojnë në ndryshimin e peizazhit. Gjelbërimi i këtyre sipërfaqeve do të ndikonte jo vetëm në bukuritë e peizazhit, por edhe në shëndetin e popullatës në këto zona”, shkruan Kajtazi.

Ai në fund thotë se beson që pas një pune afër tre mujore për ta përgatitur këtë raport, që siç shprehet ‘sado sipërfaqësor në dukje’, thotë se i njëjti do të zgjojë interesimin e institucioneve për ta marrë më seriozisht situatën mjedisore në kompleksin industrial “Trepça”.

KËTU mund të lexoni raportin e plotë të zëvendësministrit Kurtan Kajtazi.

Raporti i radhës do të jetë për zëvendësministrin Besim Demi.