Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe do të mbyllet në vitin 2015

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe do të mbyllet në vitin 2015. Me të do të mbyllen edhe të gjitha programet në gjuhët e Ballkanit sepse Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet ka vendosur që t'i rrisë shpenzimet për Azinë dhe Afrikën.

Lajme

26/03/2014 21:13

Buxheti i vitit 2015 do të eliminojë shërbimet e gjuhëve që transmetojnë programe për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë.

Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet po i kërkon Kongresit 721 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2015, një ulje prej 10 milionë dollarësh nga buxheti i këtij viti që kap 731 milionë dollarë.

Zyrtarët e agjencisë thonë se qëllimi është krijimi i programeve për audiencën e brezit të ri të shikuesve me anë të mediave që dëgjuesit dhe shikuesit globalë po i përdorin gjithnjë e më shumë.

Programet e Zërit të Amerikës për mësimin e anglishtes pritet të zgjerohen. Ndërkaq, në vitin 2015 do të fillonë platforma të reja të transmetimeve me video për të rinjtë në Kamboxhia, Vietnam dhe Birmani.

Bordi po planifikon krijimin e një kanali të ri televiziv satelitor dhe një radiostacioni në rajonin Sahel të Afrikës veri-qendrore. Do të hapet edhe një shërbim i ri në gjuhën Lingala për Republikën Demokratike të Kongos.

Shërbimet që transmetojnë për Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Iranin, dhe Uzbekistanin do të reduktohen. Edhe transmetimet për Kubën do të pësojnë shkurtime të mëdha. Po ashtu, propozimi për buxhetin e vitit 2015 parashikon mbylljen e zyrave të Zërit të Amerikës në Jeruzalem dhe Hjuston.

Dave Allison, kryetari në detyrë i sindikatës që përfaqëson shumë punonjës të Zërit të Amerikës, tha se me eliminimin e këtyre shërbimeve, Zëri i Amerikës po “tërhiqet” nga misioni i tij historik që filloi në vitin 1942.

Ai tha se punonjësve të programeve për Ballkanin iu mbushën sytë me lot pasi mësuan se shërbimet e tyre përballen me eliminimin.

(VOA)