Zeneli i befasuar, AAK ka probleme serioze

Nënkryetari i LDD-së, Lulzim Zeneli, është shprehur i befasuar me deklarimet e nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka thënë se AAK-ja në zgjedhjet parlamentare do të garojë e vetme e jo si koalicion AAK-LDD.

Lajme

01/04/2014 08:17

Zeneli ka thënë për “Epokën e re” se deri më tani nuk i ka rastisur të ballafaqohet më një situatë të tillë, kur nga e njëjta adresë politike dalin qëndrime diametralisht të kundërta për një çështje që është e shkruar dhe e nënshkruar nga liderët e dy partive politike.

“E lexova intervistën në gazetën tuaj dhe më është dashur kohë të reflektoj rreth porosisë së asaj deklarate. Të them të drejtën, për këtë periudhe 15-vjeçare të pluralizmit politik, aq sa është edhe përvoja ime e vogël në politikë, nuk më ka rastisur të ballafaqohem me një situatë të tillë nga një adresë politike, nga një subjekt me përvojë jo të vogël politike, të kemi deklarime me porosi diametralisht të ndryshme për diçka që është e shkruar qartë dhe e firmosur”, ka deklaruar Zeneli.

Ai ka treguar se ekziston koalicioni parazgjedhor AAK – LDD për zgjedhjet parlamentare, i cili në formë marrëveshje është i nënshkruar nga liderët e të dy partive politike.

Zeneli ka thënë se në qoftë se deklarimet e Isufit janë politika zyrtare, atëherë nuk beson se ka vend për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet AAK-së dhe LDD-së.

“Kjo mbetet të shihet, mirëpo në qoftë se deklarimet e tilla janë politika zyrtare, atëherë nuk besoj se ka vend për bashkëpunim”, ka thënë Zeneli, një ditë pasi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare subjekti i tij politik nuk do të garojë në koalicion me LDD-në.