Zemaj: Serbët po rrejnë, Tahir Zemaj nuk dëshmoi kurrë kundër UÇK-së

Gjenerali i FAK-ut, Tahir Zemaj asnjëherë nuk ka dëshmuar kundër UÇK-së.

Lajme

06/07/2015 17:10

Kështu i është kundërpërgjigjur nipi i Tahirit, Armend Zemaj, zëdhënësit të prokurorisë së Serbisë, Bruno Vekariq, i cili ka deklaruar se Komandanti i FARK-ut, ka dhënë një dëshmi tronditëse për krimet e kryera gjatë luftës.

Zemaj për ORAinfo, ka thënë se deklarata e zëdhënësit të prokurorisë serbe është e pavërtetë dhe sipas tij, është bërë për konsum të brendshëm.

“E para kjo është propagandë e Serbisë për konsum të brendshëm. E dyta, Tahir Zemaj asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi dhe kjo ka qenë deklaratë zyrtare e zëdhënësit të Hagës në atë kohë”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, axha i tij Tahiri ka qenë dëshmitarë në vetëm një proces gjyqësorë në Kosovë.

“Tahir Zemaj ka qenë dëshmitarë në gjykimin e ashtuquajtur Grupi i Dukagjinit për vrasjen e 4 ushtarëve, por asnjëherë nuk ka qenë as dëshmitarë dhe nuk ka dhënë asnjëherë dëshmi për Hagën”, ka thënë Zemaj.

Ndryshe, Zëdhënësi i Prokurorisë për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekaric ka treguar edhe se ku është deponuar dëshmia kundër UÇK-së nga ana e Tahir Zemajt.

“Ka dhënë dëshmi 200 faqesh një hetuesi të UNMIK-ut. Por kjo nuk është transferuar nga UNMIK-u në Tribunalin e Hagës. Ne këtë nuk e kemi por e dimë se ka ndodhur”, ka thënë Bruno Vekariq.