Zemaj: Ligji për veteranët, diskriminues

Pas miratimit të ligjit për veteranët e UÇK-së, Armend Zemaj konsideron se me këtë janë diskriminuar dëshmorët nga viti 1991 deri më 1999. Ndërsa mohon se nga të arrestuarit e ish-stafit të Komunës së Prishtinës të ketë ndonjë që është pjesë e LDK-së.

Lajme

03/04/2014 17:36

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga LDK, Armend Zemaj, ka komentuar mbi ligjin e sapo-miratuar në Kuvendin e Kosovës për veteranët e UÇK-së.

I ftuar në emisionin “InfoMagazine” të KlanKosovës, ai e ka cilësuar këtë ligj si diskriminues për ata që luftuan nga vitet ’91 deri më ’99.

“Shumë veteranë të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme ekonomike, nuk gëzojnë asnjë benefit nga kjo Qeveri. Këta, të ashtu quajtur komandantë, jo që nuk e dëshirojnë unifikimin e shqiptarëve të Kosovës, por e dëshirojnë ndarjen, për të vazhduar haraçin, krimin, si dhe korrupsionin”.

Sipas Zemajt, emrat e ish-punëtorëve të Komunës së Prishtinës të udhëhequr me Isa Mustafën dikur, të cilët sot u arrestuan, nuk janë pjesë e LDK-së.

Kjo i bie, siç thotë ai, të mos jetë goditur aspak partia e LDK-së.

“LDK-ja e përkrah institucionin e Prokurorisë që ta dërojë ligjin deri në fund. Nëse tentohet që të implikohet udhëheqja politike e LDK-së përmes pushtetit komunal në Prishtinë, për ne është e papranueshme dhe puro-politike, dhe s’ka lidhshmëri në aspektin tonë të bërjes politikë apo kërkesave që të luftohet krimi dhe korrupsioni”.

“Asnjëri nga të arrestuarit nuk është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i bie që, nuk është goditur LDK-ja”.