Zbutet qëndrimi i Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Pas tërheqjes së stafit diplomatik serb nga Maqedonia, sot qeveria e këtij shteti ka bërë të ditur se do të vendos për anëtarësimin ose jo të Kosovës në UNESCO, duke marrë parasysh pikëpamjet e shumicës së vendeve të BE-së.

Lajme

21/08/2017 18:21

Qeveria maqedonase i ka bërë këto deklarime me anë të një komunikate, edhe pse kryeministri maqedonas Zoran Zaev muaj më parë kishte thënë se Shkupi zyrtar do të ketë qëndrim neutral, transmeton lajmi.net

“Sa i përket votës së Kosvës për hyrje në UNESCO, do të merren parasysh pikëpamjet e shumicës së vendve të Bashkimit Evropian”, bëhet e ditur nga qeveria e Maqedonisë.

Kohë më parë, Zoran Zaev në një intervistë ishte përgjigjiur “qëndrim neutral”, kur u pyet për votën e Maqedonisë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Agjencia e lajmeve Makfax sot kishte bërë të ditur se qeveria e shtetit maqedonas ka përgatitur një propozim i cili do ta mbështeste Kosovën në UNESCO.

E kjo pikërisht thuhej se ka qenë arsyeja që Serbia e ka tërhequr stafin diplomatik nga ambasada në Shkup.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq sot gjatë ditës deklaroi se Serbia është duke pritur qëndrimin zyrtar të Shkupit dhe Podgoricës për votën e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. /Lajmi.net/