Zbulohet statuja e Adem Jasharit në Aeroportin e Prishtinës

Statuja e komanduarit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, është zbuluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e cila mban emrin e tij, pikërisht në ditëlindjen e tij, më 28 nëntor.

Lajme

28/11/2014 16:56

Në hyrje të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është zbuluar statuja e komandantit legjendar Adem Jashari, emrin e të cilit e mban edhe Aeroporti i Prishtinës.

Zbulimi i statujës së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari është bërë me rastin e ditëlindjes së tij, dhe festave të Nëntorit.

Në ceremoninë e zbulimit të kësaj statuje drejtori i Aeroportit “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk, ka deklaruar se do të punojnë gjithmonë me qëllim të zhvillimit të aeroportit, por edhe të gjithë Kosovën.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka thënë se kjo vepër është madhështore. Ai ka deklaruar se përkulen me pietet para të gjithë atyre që luftuan për lirinë e vendit.

E veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka theksuar se duhet zhvilluar ky aeroport, sepse sipas tij, askush nuk luftoi vetëm për veten, por për gjithë popullin dhe vendin.

“Le ta ruajmë lirinë tonë, ta zhvillojmë vendin tonë që të ecim përpara sepse kjo ishte dëshira e të gjithë ushtarëve”, ka thënë ai.

Këtë statujë e ka dhuruar Kompania “Fortesa” me ndihmë të “Paper Communications”.