Zbulohet se si Rummenigge e përzuri nga Bayerni Toni Kroosin

Gjatë një interviste të ditëve të fundit, ish-lojtari i kombëtares gjermane dhe miku i mesfushorit, Toni Kroos, Shtefan Rainarct ka folur lidhur me largimin e mesfushorit gjerman nga skuadra e Bayernit duke zbuluar detaje të reja.

Sport

21/09/2017 22:28

Sipas tij, situata sa vinte e përkeqësohej mes Kros dhe bordit menaxherial të kampionëve gjermanë duke thënë:

“Ka qenë çështje parash largimi i Kros nga Bayerni. Në ato momente, klubi bavarez i ka ofruar Tonit një rinovim kontrate. Por ai e dinte se sa paguhej Mario Gëce, ndërsa Bayerni nuk ka dashur t’i japë Krosit më shumë se 10 milionë euro. Rumenige madje i ka thënë Tonit: ‘Nuk të japim më shumë se 10 milionë euro në sezon sepse nuk je lojtar klasi’.

Nëse e njeh Toni Krosin, të gjithë e dinë se ai nuk është një lojtar që joshet pas shumave të mëdha. Ai ka nevojë për besimin e duhur te të tjerët. Dhe, në këtë rast, e dinte mjaft mirë se ishte një lojtar i një niveli të lartë, një lojtar klasi. Këtu ndodhi edhe përçarja, e cila e bëri atë të merrte vendimin e largimit te Reali.

Mënyra si kreu ekzekutiv, KarlHainz Rumenige, e shihte Toni Krosin shkaktoi krisjen, e cila e bëri atë të largohej”. Në atë periudhë, edhe tekniku Pep Guardiola ka kërkuar që Toni të qëndrojë në Mynih. Për këtë, Rainarct ka thënë: “Tekniku Pep Guardiola provoi gjithçka mundi.

Atij i ka ardhur si bombë lajmi që Bayerni nuk rinovoi me ylli gjerman dhe Rumenige nuk kishte aspak besim te vlerat e tij. Për Guardiolën ai ishte një lojtar, i cili s’duhej të largohej kurrë prej Bayerni. Ai është nënvlerësuar në Mynih dhe nuk e kanë pëlqyer kurrë në Gjermani.

Ai ka marrë gjithmonë kritika sa i përket peshës që ka patur në skuadrën bavareze si dhe është vënë me shpatulla pas muri, për penalltinë e humbur në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Çelsit në vitin 2012. Fakti që ai u konsiderua te Bajerni si një lojtar, i cili fliste rrallë, ndoshta ka qenë një tjetër faktor që e penalizoi”.