Zbulohet një pjesë e ditarit të Astrit Deharit, i ndjeri ankohej se nuk po mund të qëndronte me nënën e tij

Sa herë familja Dehari e ka vizituar Astritin në burg, ata vazhdimisht kanë qenë të shoqëruar nga një komisar i Lëvizjes "Vetëvendosje". Kjo del të mos i ketë pëlqyer të ndjerit – sipas një faqeje të një ditari që pretendohet se Astrit Dehari e shkroi derisa po qëndronte në paraburgim në Prizren, si i dyshuar për sulmin e gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës.

Lajme

11/11/2016 14:58

Aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, që u gjet të shtunën i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka mbajtur një ditar gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar i arrestuar si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në objektin e Kuvendit të Kosovës që u vlerësua si terrorist.

Portali “Indekonline”, të premten, ka publikuar një pjesë nga ky ditar – ndonëse origjinaliteti i tij nuk është konfirmuar ende. Sipas portalit, faqet e këtij ditari, 62 sosh, përmbajnë rrëfime dhe detaje të Deharit në lidhje me komunikimin e tij me familjen dhe aktivistët e LVV-së, gjatë kohës sa ishte duke qendruar i paraburgosur si i dyshuar për terrorizëm.

Në letrën e publikuar nga “Indeksonline”, aktivisti që u varros të martën në Prishtinë, Astrit Dehari, ku tregon se si aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk e lejonin asnjëherë të qëndrojë vetëm me prindërit e tij, apo me motrën e bashkëshorten, pa qenë edhe dikush prej tyre prezent – gjatë kohës së vizitave në paraburgim.

Ai shkruan se si sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj, i ka thënë të mos mërzitet për faktet rreth akuzave që e rëndonin për sulmin ndaj Kuvendit, pasi e kishte siguruar se me këtë pjesë do të merrej Lëvizja.

Në letër përmendet edhe një person, me emrin Muharrem – porse nuk tregohet se kush është.

“Më ra shumë pak të flas me nënën, babin e Artën. Më treguan se e kanë takuar Muharremin e madje ai as që ka ditur se jam në burg. Më thanë të mos mërzitem fare. Edhe Dardani më thoshte të rri i qetë e të mos lodhem për gjetjen e fakteve, ngase me këtë pjesë merret Lëvizja”, shkruan në letrën e publikuar në media e që pretendohet të jetë pjesë e ditarit të Astrit Deharit.

Ndryshe, një ditë më parë janë publikuar lejet e vizitorëve që u janë lejuar ta takojnë Deharin në paraburgim. Në dokumentet shihet qartë se në secilën leje të lëshuar nga Departamenti për Krimet e Rënda për vizitë në Qendrën e paraburgimit në Prizren, aty ku kishte qëndruar Astrit Dehari për 68 ditë, vizitat e familjes Dehari u bënë të kontrolluara nga komisarë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Po ashtu, mbremë janë publikuar edhe materialet filmike të kamerave të sigurisë të burgut të Prizrenit, të ditës së shtunë, kur u gjet i vdekur Astrit Dehari, prej kohës kur të gjithë të burgosurit tjerë dalin në pauzë, përveç Astritit, e deri kur ai u gjet pa shenja jete nga të burgosurit e tjerë.