Zbulohet kush po i dërgon zarfet me mjete shpërthyese te Obama dhe të tjerët

Gjithçka nisi të hënën, me një pajisje të dyshuar shpërthyese të dërguar në adresën e shtëpisë së donatorit miliarder liberal, George Soros, në Nju Jork.

Bota

25/10/2018 09:24

Autoritetet amerikane u angazhuan menjëherë që prej së mërkurës, me një hetim gjithëpërfshirës mbi atë se kush fshihet pas bombave artizanale në formë tubi, të dërguara në adresat e ish-presidentit Barack Obama, ish-kandidates demokrate dhe ish-Sekretare e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe figurave të tjera të larta të demokratëve, por edhe në zyrat e CNN-it në Nju Jork, që të gjithë këta persona “të urryer” mes mbështetësve të presidentit Donald Trump.

Kritikët e Trumpit akuzuan pikërisht shefin e Shtëpisë së Bardhë se po inkurajon dhunën, vetëm pak ditë përpara se Amerika e përçarë dukshëm të votojë në zgjedhjet e mesmandatit, më 6 nëntor.

Trump reagoi menjëherë pas “furisë së zjarrtë të alarmeve për bomba”, fillimisht duke bërë thirrje për unitet dhe më pas duke sulmuar sërish mediet për “armiqësinë e saj të pafundme”.

CNN është i njohur për mbulimin kryesisht kritik ndaj administratës së Trumpit dhe ka provokuar vazhdimisht irritimin e presidentit të Amerikës, i cili pasoi Obamën duke mposhtur rivalen Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, transmeton “Tch”.

Gjithçka nisi të hënën, me një pajisje të dyshuar shpërthyese të dërguar në adresën e shtëpisë së donatorit miliarder liberal, George Soros, në Nju Jork.

“Deri më tani, pajisjet duken të jenë bomba tub”, tha agjenti i FBI-së, Bryan Paarmann. “Ende nuk është e sigurtë, në këtë pikë, nëse kemi të bëjmë me një person apo me një rrjet që po kërcënon”, tha shefi i policisë së Nju Jorkut, James O’Neill për CNN-in, i cili shtoi se pret që përgjegjësit të identifikohen dhe të arrestohen brenda pak ditësh.

Të paktën 7 pako të dyshimta u dërguan në Nju Jork, Uashington dhe Florida, drejtuar madje edhe figurës së shquar afro-amerikane, ish-kryeprokurorit Eric Holder të epokës “Obama”, por edhe ndaj Maxine Waters, një ligjvënëse nga Kalifornia.

Pakot e dërguara kishin që të gjitha një emër dërguesi: Debbie Wasserman Schultz, ish-kryetare e Komitetit Kombëtar Demokratik. Ndërkohë, adresat e kthimit përfshinin edhe gabime drejtshkrimore të mbiemrit të Wasserman Schultz, siç raportojnë mediet amerikane, përfshi “Miami Herald”.

Nga Shtëpia e Bardhë, Trump apeloi fillimisht për unitet, duke thënë se “aktet e dhunës politike nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara”.

“Ata që janë të angazhuar në fushën politike duhet të ndalen së trajtuari kundërshtarët politike si moralisht të dëmtuar”, theksoi më pas ai gjatë një mitingu në Wisconsin, përpara se t’u rikthehej kritikave ndaj medies.

“Media ka gjithashtu përgjegjësinë për t’i dhënë tonin dhe për t’i dhënë fund armiqësisë së pafundme dhe vazhdimisht negative, e sulmeve apo ngjarjeve shpesh false”, shtoi ai. “Ato duhet të ndalen”.