Zbulohet formacioni i Shqipërisë ndaj Izraelit (FOTO)

Armando Sadiku duket se ka fituar balotazhin me Sokol Cikalleshin për pozicionin e sulmuesit të vetëm në skemën 4-1-4-1 në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ku Gianni De Biasi ka krijuar idetë e qarta sa i përket rreshtimit që do të hedhë në fushën e lojës.

Sport

09/06/2017 18:41

Gjatë seancës së sotme stërvitore, tekniku i kuqezinjve ka zhvilluar një ndeshje brenda grupit, duke rreshtuar në një anë titullarët e mundshëm dhe nga ana tjetër zëvendësuesit, për të shpjeguar më mirë lëvizjet taktike që pret prej tyre, shkruan PanoramaSport.

Naser Aliji pritet të jetë titullar në krahun e majtë të mbrojtjes në vend të Agollit, ndërsa treshja e qendrës së mesfushës pritet të jetë Kukeli-Abrashi-Memushaj, me Roshin e Hykën nga krahët.

Sa i përket Sadikut, kjo është ndeshja e parë si titullar me kombëtaren që nga fitorja 2-1 e kuqezinjve në shtator kundër Maqedonisë./Lajmi.net/