Zbulohen lidhjet mes muzikës dhe trurit

Shkencëtarët zbulojnë misteret e dëgjimit të muzikës, reaksionin që shkakton në tru dhe arsyen e preferencave të ndryshme te çdo njeri.

Lifestyle

10/08/2014 19:23

Kur dëgjojmë muzikë, në tru krijohet një reaksion kimik, që në një farë mënyre na shpërblen duke na dhuruar lumturi, zbulojnë shkencëtarët.

Kërkuesit kanadezë, duke përdorur skaner të teknologjisë së fundit, zbuluan se zonat e dëgjimit në qendër të trurit aktivizoheshin kur njerëzit dëgjonin një këngë për herë të parë.

Sa më shumë të pëlqehej kënga, aq më e fortë ishte lidhja që krijohej. Pjesëmarrësit në studim dëgjuan 60 fragmente këngësh, të cilat nuk i kishin dëgjuar më parë, ndërkohë që truri i tyre skanohej nga një aparaturë e veçantë.

Më pas ata dhanë ofertat sesa para ishin të gatshëm të paguanin, nëse këngët do të shiteshin në ankand. Kërkuesit përdorën versione të shkurtra të këngëve dhe çmime të njëjta me ato të tregut.

Që studimi të ishte sa më i vërtetë dhe në mënyrë që muzika të vlerësohej objektivisht, individët do ta paguanin nga paratë e tyre muzikën që përzgjidhnin të blinin, për të vërtetuar se dëshironin realisht ta dëgjonin përsëri.

Kur pjesëmarrësit dëgjuan një fragment muzike, që nuk e kishin dëgjuar më parë, aktiviteti që ndodhte në pjesë të caktuara të trurit të tyre parashikonte nëse muzika do të pëlqehej apo të blihej prej tyre.

“Ky proces ka të bëjë me reaksionet që ndodhin në tru, prej të cilave formohen pritshmëritë për pëlqimin e një kënge”, sqaron dr. Valori Salimpur nga Instituti Spitalor i Neurologjisë në Montreal, njëkohësisht edhe drejtues i studimit.

Ndërkohë që dëgjonin muzikën dhe skanoheshin, për të kuptuar sa do ta vlerësonte truri i tyre atë këngë, kërkuesit u shprehën se ata zbuluan saktësisht arsyen përse këngët e reja i bëjnë mirë trurit.

Ajo që e bën muzikën kaq emocionalisht të fuqishme, është krijimi i pritshmërisë dhe vlerësimi që merr nga zona përkatëse e trurit.

Sa më shumë aktivitet të krijohet në këtë zonë gjatë kohës që pjesëmarrësit dëgjojnë muzikë, aq më shumë të gatshëm do të jenë ata të paguajnë për ta zotëruar atë.

Kur atyre që e kishin bërë blerjen tashmë u jepej të dëgjonin muzikë tjetër, aktiviteti që u krijohej në tru ishte i njëjtë për të gjithë, pavarësisht rrymës që kishin vendosur të blinin.

Rezultatet na ndihmojnë për të kuptuar përse njerëzit preferojnë muzikë të ndryshme nga njëri-tjetri. Çdo njeri ka një mënyrë unike të kësaj pjesëze të trurit, reagimi i së cilës formohet në varësi të tingujve dhe muzikës që kanë lidhje me jetën tonë.

Gjithashtu muzika që blejmë apo dëgjojmë, ka shumë gjasa të ketë lidhje paraprake me emocionet tona. Kërkuesit shprehen se zbulimi i tyre shpjegon reagimin emocional që kemi kur dëgjojmë një këngë të re dhe nëpërmjet kësaj ata janë në gjendje të parashikojnë nëse do ta blejmë apo jo atë.

Gjetja e dytë më e rëndësishme e kërkimit është se, qendra jonë e trurit, përgjegjëse për kënaqësinë, nuk punon e vetme, por ka lidhje edhe me korteksin e dëgjimit, një zonë e trurit që mbledh informacion rreth tingujve dhe muzikës ndaj së cilës jemi ekspozuar gjatë gjithë jetës. Sa më shumë ta vlerësojmë pjesën muzikore të dëgjuar, aq më e fortë është ndërlidhja midis këtyre zonave të trurit.

“Kjo është interesante, sepse muzika në vetvete është një vazhdimësi tingujsh, të cilat të ndara nuk kanë ndonjë vlerë të madhe, por kur organizohen së bashku nxisin veprimin e vlerësimit te njeriu”, shprehet dr. Robert Zatore, një kërkues pranë Laboratorit Ndërkombëtar të Trurit, Muzikës dhe Kërkimeve mbi Tingujt.

Aktiviteti i integruar i qarqeve të trurit që përfshijnë njohjen, parashikimin dhe emocionet, na lejojnë ta vlerësojmë muzikën si dukuri intelektuale dhe estetike.