Zbulohen kushtet e Kroacisë për anëtarësimin e Serbisë në BE

Kushtet e Kroacisë në tekstin e qëndrimit të përbashkët të BE-së për hapjen e Kapitullit 23 të Serbisë janë bërë pjesërisht publike, por sipas një analisti veteran, ato janë kryesisht “simbolike”.

Lajme

07/07/2016 17:04

Kushtet e Kroacisë për hapjen e Kapitulli 23 nga ana e Serbisë – të përfshira në tekstin e qëndrim të përbashkët të BE-së – janë bërë pjesërisht publike të mërkurën.

Kroacia kishte bllokuar më parë Serbinë nga hapja e Kapitullit 23 në bisedimet e saj për anëtarësim në BE, kapitullin mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, ndërsa kohët e fundit ajo loboi që kushtet e saj të përfshiheshin në dokumentin e përbashkët të BE-së, i cili shërben si një platformë për bisedimet me Beogradin.

Kroacia donte që Serbia të zotohej për bashkëpunim të plotë me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, ICTY, dhe të nderonte të drejtat e njeriut të viktimave të luftërave të viteve 1990, duke u siguruar atyre “qasje në drejtësi dhe në sistemin gjyqësor pa asnjë diskriminim”.

Bashkëpunimi i plotë i Serbisë me ICTY-në ishte gjithashtu një kush i vendosur nga Brukseli që në fillim.

Kroacia ka siguruar edhe kushtin që Serbia duhet të bashkëpunojë me vendet fqinje për çështjen e personave të zhdukur të kohës së luftës duke shkëmbyer menjëherë informacione me institucionet e tjera që merren me këtë çështje.

Sipas Komisionit të Kroacisë për Personat e Ndaluar dhe të Zhdukur, Kroacia është ende në kërkim të 1,573 personave të zhdukur nga luftërat e viteve 1990, 931 prej të cilëve janë zhdukur në vitet 1991 dhe 1992, kryesisht pas rënies së qytetit lindor të Vukovarit në duart e Ushtrisë Jugosllave.

Kroacia thotë se institucionet serbe kanë dokumentacion që tregon me shumë mundësi vendndodhjen e këtyre varreve dhe dëshiron që Serbia të vazhdojë gërmimet dhe kërkimet për qytetarët kroatë të varrosur në Serbi.

Kroacia gjithashtu kundërshton një ligj serb që i jep gjykatat serbe juridiksionin universal për të gjykuar krimet e luftës të kryera në luftërat e viteve 1990.

Duke u mbështetur në parimin e juridiksionit rajonal – i ngjashëm me atë të përdorur nga Franca në ndjekjen penale të gjenocidit të Ruandës – Serbia pretendon të drejtën për të ndjekur penalisht të gjitha krimet e luftës të kryera në ish-luftërat e Jugosllavisë, pavarësisht nga shtetësia e autorëve apo viktimave.

Kroacia edhe më tej këmbëngul që Serbia “të zbatojë detyrimet e saj të brendshme dhe ato ndërkombëtare” në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare.

Kjo ka të bëjë me një marrëveshje të vitit 2004 midis Kroacisë dhe Serbi-Malit të Zi, në atë kohë një shtet i vetëm, duke i detyruar të dyja palët të respektojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e grupeve të pakicave.

Sipas regjistrimit të popullsisë së Serbisë të kryer në vitin 2011, në Serbi ka 57,900 kroatë, të cilët Kroacia thotë se duhet të kenë vende të garantuara në parlamentin e Serbisë, njësoj siç kanë pakicat serbe në parlamentin kroat.

Analisti politik Zarko Puhovski tha për BIRN se disa nga ankesat kroate ishin të pajustifikueshme ose ishin thjesht simbolike, “siç është ligji mbi juridiksionin universal, të cilin e kanë edhe disa shtete të tjera të BE-së”.

“Kroacia duhet të kishte këmbëngulur për këtë çështje gjatë periudhës së ardhshme të negociatave dhe të mos e kishte ngritur këtë si një parakusht,” tha ai, duke shpjeguar se Kroacia shihej si një vend “që dëshiron të ushtrojë pushtetin e saj”.

Puhovski e mbylli duke thënë se kushtet “ishin shumë larg realitetit dhe se kishin vetëm një vlerë simbolike”.