Zbulimi në Tikrit shkakton panik në Britani të Madhe

Mbretëria e Bashkuar po ballafaqohet me një kërcënim real nga sulmi terrorist me mjete kimike, tërheqin vërejtjen ekspertët kundër terrorizimit dhe shërbimet britanike të sigurisë.

Lajme

26/05/2015 23:54

Sipas medieve, rreziku konkret vjen nga xhihadistët britanikë të cilët kthehen nga Iraku dhe Siria.

Sipas ekspertëve, bombat që përmbajnë klor kimik paraqesin një nga mjetet e “preferuara” të terroristëve në Britaninë e Madhe, transmeton lajmi.net.

Koloneli Hamish Gordon, ekspert për armë kimike, biologjike dhe bërthamore pranë ushtrisë britanike, është momentalisht një nga ekspertët liderë për çështjen e armëve kimike.

Pas një hulumtimi të gjerë të bërë, ai ftoi autoritetet dhe policinë britanike që të shtojnë kontrollin e shitjes së klorit. Sipas mendimit të tij, klorin mund ta blejë kushdo që dëshiron dhe kjo rregull do të duhej të ndryshojë.

“Me kthimin e xhihadistëve, shtetas britanikë, nga Siria dhe Iraku, rritet rreziku nga sulmi terrorist. Apeloj te të gjithë kompetentët që t’ kushtojnë vëmendje të posaçme ndaj kësaj që them, sepse sulmi me armë kimike është më real sesa kurdoherë më parë”, tha Gordon, i cili tashmë është pensionuar.

Ndonëse klori është substancë që më së shpeshti shfrytëzohet për dezinfektim dhe pastrim të ujit të pijshëm, ai mund të jetë vdekjeprurës nëse thithet përmes organeve të frymëmarrjes.

Në Britani të Madhe secili person fizik mund të blejë madje deri në 90 tonë klor pa kurrfarë pengese apo kontrolli nga shërbimet përkatëse.

Koloneli Gordon paralajmëron për lehtësinë me të cilën mund të prodhohet mjeti shpërthyes është në kushte shtëpiake, duke shtuar se klori në bombat e tilla shpërndahet nëpër një lloj cilindri që e posedon çdo frigorifer.

Frika nga sulmi potencial kimik është rritur dukshëm pas gjetjes së një numri të madh të bombave të tilla të improvizuara në Tikrit, në veri të Irakut, që sivjet u çlirua nga putrat e Shtetit Islamik. Me këtë rast është zbuluar që një e katërta e bombave të gjetura në një depo të xhihadistëve përmbanin klor.

“Kjo është ajo që të kthyerit nga Siria dhe Iraku i shndërron në kërcënim të cilit duhet kushtuar vëmendje shumë të madhe. Nuk dua të frikësojë njerëzit dhe të ngre panik, por kjo është gjendja reale e gjërave që duhet të bëhet publike”, tha Olivier Gita, ekspert kundër terrorizmit, në një deklaratë për gazetën Times, transmeton lajmi.net.

Sipas Gordonit, rreziku më i madh për sulme kimike vjen në ndeshje të futbollit dhe në metro, duke pasur parasysh përqendrimin e madh të njerëzve në raste të tilla.