Zbulim shkencor: Është gjetur vitamina e cila pengon abortimet spontane dhe defektet

Vetëm një vitaminë mund të ndihmojë që të pengojë zhvillimin e të metave të lindura tek embrioni dhe bebja, por ajo njëherësh siguron edhe shtatzëni të shëndetshme, kanë zbuluar shkencëtarët australianë.

Lifestyle

17/09/2017 18:38

Shkencëtarët thonë që ky zbulim është njëri ndër më të rëndësishmit në fushën e hulumtimeve të shtatzënisë dhe njohuritë e tyre do të transformojnë mënyrën me të cilën shëndetësia kujdeset për nënat e ardhshme.

Shkencëtarët australianë nga Instituti Victor Chang në Sidney, kanë hulumtuar 12 vjet përse disa fëmijë lindin me defekte në zemër, veshka apo kurriz, transmeton Telegrafi.

Ata kanë analizuar AND-në e katër familjeve ku nënat kishin përjetuar abort spontan disa herë apo kishin fëmijë me defekte në lindje, qoftë në zemër mushkëri apo diku tjetër.

Përmes analizave janë gjetur mutacione në dy gjene të cilat bëjnë që fëmija të këtë defekte për shkak të mungesës së një molekule vitale të njohur si Nicotinamide adenine dinucleotide (NAD), e cila mundëson qelizat të gjenerojnë energji që organet të zhvillohen në mënyrë normale.

Këto mutacione mund të rregullohen me konsumimin e vitaminës B3.

Vitamina B3, e cila gjendet në perime dhe në mish, mund të shërojë deficiencën molekulare, e cila ndërpret rritjen e organit të embrionit, si edhe bebja të zhvillohet drejt në mitër.