Zbresin çmimet e pemëve

Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Konsumit në Kosovë pësoi rënie për (-0.3% ) në muajin nëntor 2014, krahasuar me muajin tetor 2014. Shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2014 krahasuar me muajin nëntor 2013 ishte 0.1%.

Lajme

12/12/2014 18:01

Rënie e Indeksit të Çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet: pemë (-9.1%) dhe përdorim i pajisjeve për transportin personal (naftë dhe benzinë) për (-1.9%). Këto rënie patën një ndikim të përbashkët prej (-0.4) për qind në IÇK.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e Indeksit të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: qumsht, djath dhe vezë për (1.6%), me një ndikim prej 0.1 për qind në IÇK.

Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Konsumit“(IÇK) për muajin nëntor 2014.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0.1% në muajin nëntor 2014, krahasuar me muajin nëntor 2013. Ngritje e Indeksit të Çmimeve të Konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: bukë dhe drithëra (3.1%); qumësht, djath dhe vezë (2.4%); pemë (2.3%); perime (2.5%); duhan (2.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera për (9.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2 për qind në IÇK.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e Indeksit të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: vajëra dhe yndyra (-4.9%), sheqer dhe ëmbëlsira (-4.4%), përdorim i pajisjeve për transportin personal-(naftë dhe benzinë) për (-5.1%), arsimi i lartë (-28.1%), shërbimet dhe strehimi i studentëve për (-16.4%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.1) për qind në IÇK.