Zbrazet salla e Kuvendit, opozita fajëson pushtetin për papërgjegjësi

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë mbajtur konferencë në hollin e Kuvendit pas pritjes afër dy orësh për të filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga ta.

Lajme

26/12/2018 12:12

Por, nuk dihet nëse do të mbahet seanca ose jo sipas këtyre subjekteve, pasi që partitë në pozitë nuk janë dukur fare në sallën ku mbahet seanca e Kuvendit.

Avdullah Hoti, kryetar i grupit parlamentar i LDK-së, tha se është papërgjegjësi totale mënyra se si po menaxhohet Kuvendi.

“Jemi mbledhë në orën 10:00. Kryesia i ka ftuar gjithë deputetët për këtë seancë është obligim kushtetues i kryetarit të kuvendit që seanca të hapet me kërkesën e 40 deputetëve. Kjo është papërgjegjësi e madhe mënyra siç po menaxhohet kuvendi duke mos mundësuar që në procedura normale të zhvillohet puna në Kuvend”, tha ai, raporton kallxo.com.

Kryetari i GP të LVV-së,  Glauk Konjufca tha se mosprania e deputetëve në seancë e jashtëzakonshme tregon një papërgjegjësi të pushtetit.

“Shpesh kemi dëgjuar nga ta që me qenë roli i kuvendit qendror në këtë diskutimet me Serbinë në pikërisht ketë aspekt e kemi ngritur sot në seancën e sotme, kemi kërkuar dokumentin 30 faqesh në formë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse siç është quajtur nga Qeveria. Ne kemi qenë të interesuar që sot përballë kryeministrit dhe ministrave ta hapim këtë temë dhe të diskutojmë por siç e keni parë mazhoranca për të disten here përdor strategjinë e bojkotit karshi opozitës. Ata sot e treguan fytyrën e vërtet po shihet roli i kuvendit, është opozita e cila erdhi dhe u shfaq ne seance kurse janë deputetet e mazhorancës të cilët nuk u duken fare. Ne pritëm për një orë e gjysmë e kjo është një papërgjegjësi e pushtetit” tha Konjufca.

Dardan Sejdiu kryetar i GP të PSD-së, tha se do të jenë në Kuvend gjatë gjithë ditës kurdo që të mbahet seanca.

“Ne si deputetë jemi prezentë në çdo debat, nuk e kemi asnjë bezdi. Por është situatë e çuditshme kur ata që e ftojnë seancën nuk janë në seancë”, tha ai.