Zbogar kritikon ndalesën

Samuel Zbogar thotë se vendimi i Qeverisë për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë gjatë fushatës është rezultat i nervozizmit nga të dyja palët. Mendon se nuk është mirë që ky vendim të mbetet në fuqi gjatë një muaji të tërë.

Lajme

04/10/2013 08:14

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet lokale të 3 tetorit nuk është më i miri, ka thënë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Në një intervistë për emisionin Slobodno Srpski, Zbogar është shprehur se ky vendim është rezultat i nervozizmit nga të dyja palët dhe se nuk është mirë që ky vendim të mbetet në fuqi gjatë një muaji të tërë.

“Mendoj se është e tepërt që të ndalohen të gjitha vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë kohës së zgjedhjeve, pasi që e dimë se të gjithë neve na intereson që sa më shumë njerëz të dalin në votime. Në këtë kuptim, është mirë që zyrtarët serbë të vijnë dhe t’u shpjegojnë njerëzve se çka do të ndodhë me shëndetësinë, me arsimin, a do t’i humbin njerëzit vendet e punës apo jo, sidomos në veri ka shumë pyetje të tilla, të cilat ende nuk kanë përgjigje”, ka thënë Zbogar.

Duke komentuar deklaratat e Beogradit se vendime të tilla mund ta dëmtojnë procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Zbogar u shpreh se palët po tregojnë nervozizëm.

“Mendoj se duhet pak t’i zbusim tensionet dhe ta gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Zbogar.

Mediat serbe i kanë dhënë jehonë takimit të 7 tetorit ndërmjet Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, të ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Radio Televizioni i Serbisë raporton se Brukseli ka reaguar shpejt ndaj tensioneve të reja në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë ndërsa “Prishtina menjëherë ka zbutur retorikën” duke thënë se nuk ka ndalesë për vizitat e zyrtarëve serbë.

“Në vend se të premten të udhëtojë në Shtërpcë, Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic do të duhet që të hënën të shkojë në Bruksel”, raporton RTS.