Zbehen shpresat për 40 minatorët e zhdukur pas vërshimeve në Zimbabve

Më shumë se 40 minatorë ilegalë të arit besohet se kanë vdekur në Zimbabve pasi ishin bllokuar në thellësi të tokës me rastin e vërshimeve që e kishin goditur zonën ku punonin.

Bota

16/02/2019 11:33

Policia, inxhinierët dhe minatorët tjerë kanë bërë përpjekje nga e marta që të gjejnë ndonjë minator të mbijetuar nga kjo fatkeqësi, e cila ndodhi në Kadoma, qytet që ndodhet 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit Harare.

Rreth 60 minatorë kanë qenë duke punuar në një vrimë të thellë rreh 100 metra nën tokë kur reshjet e mëdha të shiut e goditën rajonin dhe bënë që uji i vërshimeve të futet në hyrjen e vrimës ku ndodheshin minatorët.

Familjet e minatorëve të zhdukur kanë thënë se e kanë humbur shpresën për gjetjen e tyre. Një plak 94-vjeçar, i quajtur Kazius Zvikiti, ka thënë se dy djemtë e tij janë zhdukur. “Unë jam i moshuar dhe kam qenë i varur nga djemtë e mi për të mbijetuar. Nuk e di se si do të mbijetoj pa ta”, ka thënë ai, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.