Zbatimi i MSA-së ka dhënë rezultate pozitive në zhvillimin e konomik

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Tonino Picula, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në mbledhjen e III-të të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.

Lajme

20/04/2017 12:35

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj dhe shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u diskutua për progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, duke përfshirë rezultatet e arritura në implementimin e MSA-së.

Kryeministri Isa Mustafa, i njoftoi parlamentarët evropianë për të arriturat dhe reformat e shumta që po ndërmerren në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekomomik, uljen e papunësisë, rritjen e mirëqenies sociale, sundimin e ligjit dhe avancimin e rrugës integruese evropiane.

Kryeministri Mustafa, i njoftoi po ashtu për fokusin e veçantë të Qeverisë së Kosovës në reformat fiskale, stabilitetin financiar si dhe për përkrahjen e bizneseve në rritjen e konkurrueshmërisë, me synim të përftimit më të madh nga zbatimi i MSA-së.

“Zbatimi i deritashëm i MSA-së ka dhënë rezultate pozitive, mirëpo liberalizimi i vizave do t’i jepte një impuls shumë më të fuqishëm shkëmbimeve ekonomike me vendet e BE-së, duke eliminuar barrierat me të cilat ballafaqohen ndërmarrësit tanë aktualisht për pajisje me viza, në mënyrë që të shfrytëzojnë edhe më shumë mundësitë që krijon MSA-ja”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar përkrahjen e parlamentarëve evropianë në gjetjen e alternativave për tejkalimin e kësaj situate.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe eliminimin e të gjitha barrierave ndërmjet vendeve të rajonit, duke  shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në tregun unik evropian, duke mos humbur kohë në procese tjera.

Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian nga të gjitha grupet parlamentare u interesuan për aspekte të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e tyre unanime për MSA-në që nga nënshkrimi i saj dhe në fazat aktuale të zbatimit të saj.

Parlamentarët evropianë, po ashtu, theksuan përkrahjen për progresin dhe proceset e ndryshme reformuese që po ndodhin në Kosovë.