Zbatimi i Ligjit për Trepçën, peng nga mos formimi i bordeve

“Trepça” është duke numëruar në vend, ndonëse kanë kaluar gati tre muaj qëkur janë konstituuar institucionet e shtetit të Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, shkruan sot.

Lajme

25/11/2017 09:22

Premtimet se shpejt do të formohen dy bordet, pa të cilat nuk mund të zbatohet Ligji për “Trepçën”, nuk janë realizuar, në veçanti nuk është realizuar premtimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka se në nëntor do të hapet konkursi për anëtarët e Bordit Menaxhues të “Trepçës”.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se pa formimin e bordeve nuk mund të zbatohet as Ligji për “Trepçën”, i cili do t’u hapte rrugë investimeve tepër të nevojshme në gjigantin ekonomik kosovar.

Tmava ka thënë se ka pasur disa takime në Qeverinë e Kosovës dhe ka kërkuar që sa më shpejt të formohen bordet, me të cilat i hapet rrugë zbatimit të Ligjit për “Trepçën”. Dhe pavarësisht asaj se vazhdimisht ka insistuar që të ndërmerren masa për funksionalizimin e “Trepçës” me bordet e parapara me ligj, Tmava thotë se ende nuk është ndërmarrë asgjë, ndonëse premtimet nuk kanë munguar.

“Akoma nuk ka asgjë konkrete sa i përket formimit të Bordit Menaxhues dhe atij Mbikëqyrës. Kanë thënë se në nëntor do të shpallet konkursi për Bordin Menaxhues, por deri sot asgjë nuk ka. Pa konstituimin e Bordit menaxhmenti i ‘Trepçës’ nuk mund ta marrë asnjë vendim strategjik për të ardhmen e ndërmarrjes. Formimi i Bordit del edhe si kërkesë nga Ligji për ‘Trepçën’, i miratuar vitin e kaluar nga Qeveria e Isa Mustafës”, i ka thënë “Zërit” drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava.