Zbatimi i kontratës kolektive është i obligueshëm

Njohës të ekonomisë kanë vlerësuar se zbatimi i kontratës kolektive është i obligueshëm nga të gjitha palët nënshkruese. Por, sipas tyre, politikat të cilat kalohen për hir të votës, nuk japin shpresë se do të kenë zbatim të duhur.

Lajme

18/03/2014 18:16

Njohës të ekonomisë kanë vlerësuar se zbatimi i kontratës kolektive është i obligueshëm nga të gjitha palët nënshkruese. Por, sipas  tyre, politikat të cilat kalohen për hir të votës, nuk japin shpresë se do të kenë zbatim të duhur.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara, “GAP”, ka thënë për Lajmi.net, se është bërë zakon që në prag të zgjedhjeve nacionale Qeveria e Kosovës të nënshkruaj marrëveshje dhe të aprovoj ligje të cilat mbrojnë interesat e punëtorëve. Sipas tij, politikat të cilat kalohen për hir të votës, nuk na japin shpresë se do të kenë zbatim të duhur.

“Kontrata e fundit kolektive e nënshkruar më 2004 nuk është zbatuar pothuajse kurrë sa duhet dhe sindikatat kanë pasur vërejtje serioze për zbatimin e saj. Tani pas dhjetë viteve është nënshkruar kontrata e re kolektive, por e cila nuk na jep shpresë se do të zbatohet sa duhet, ngase vetë ligji i Punës, në të cilin bazohet kjo kontratë, nuk është duke u zbatuar në masë të duhur”

“Për shembull, në fund të mandatit të kaluar, Ligji i fundit që është aprovuar para shpërbërjes së Kuvendit më 2010 është Ligji i Punës, i cili parasheh të drejta të mëdha për punëtorët. Por, edhe pse me këtë ligj është paraparë aprovimi i Kontratës Kolektive, kjo nuk është bërë përgjatë katër viteve dhe Kontrata Kolektive është nënshkruar pikërisht në prag të zgjedhjeve”.

“Tek e fundit as Ligji i Punës nuk është duke u zbatuar në masë të madhe, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri vite prej kur ky Ligj ka hy në fuqi”.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi,njohës i ekonomisë,  ka thënë se zbatimi i kontratës kolektive është i detyrueshme për te gjitha palët që nënshkruajnë, ndonëse, në kontratën e mëhershme, Qeveria vetëm pjesërisht i kishte përmbushur obligimet qe dalin prej saj.

“Ky esh te dokumenti me i rëndësishëm për punëtoret dhe të drejtat e tyre, si edhe për rregullimin e raporteve ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve”

“Po ashtu, se bashku me Ligjin e  Punës , kontrata kolektive është edhe baza për hartimin e kontratave individuale. Ne te njëjtën kohë ajo shërben si dokument baze mbi te cilin mund te negociohet brenda Këshillit Ekonomiko-Social”, ka thënë Rexhepi, për “ Lajmi.net”

“Mirëpo, për zbatimin e saj sa me te përafërt, me rendësi është qe të zvogëlohet deri ne minimum informalitetit në punësim, përkatësisht qe të gjithë punëtorët të kenë kontrata pune dhe te organizuar ne sindikata”.

Kontrata Kolektive, dokument ky që do të rregullojë raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, është nënshkruar sot.