Zbardhet plani për privatizimin e “Trepçës”

Ndërmarrja e “Trepçës” ka mundësi që të privatizohet pjesërisht me anë të ndryshimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Kjo e zhvendos Trepçën nga rreziku i likuidimit tek rreziku i koncesionimit/privatizimit.

Lajme

27/03/2014 09:21

Qeveria në ikje, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike i ka propozuar Kuvendit të Kosovës t’ia ndryshojë statutin ‘Trepçës’.

Nëse miratohet plotësim-ndryshimi i këtij ligji, atëherë ndërmarrja mund të privatizohet pjesërisht.

Kështu thuhet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit  Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, shkruan “Kosova Sot”.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që udhëhiqet nga Fadil Ismajli i AKR-së, me kornizë buxhetore për vitin 2014-2016 ka planifikuar ndarje buxhetore për këshilltarë të transaksionit, të cilët do të angazhohen për shprehje të interesit të përgjithshëm për investime private në sektorët që mbulon ‘Trepça’.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës thonë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shndërruar ‘Trepçën’ në ndërmarrje publike përmes amendamentimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike e zhvendos Trepçën nga rreziku i likuidimit tek rreziku i koncesionimit/privatizimit dhe keqpërdorimit nga menaxhimi i kësaj qeverie.

Kështu është shprehur Visar Ymeri, anëtar i Komisionit për zhvillim ekonomik nga Vetëvendosje!.

“Vetëvendosje insiston që Trepça të trajtohet si ndërmarrje e interesit të veçantë shtetëror dhe si e tillë të trajtohet përmes një ligji të veçantë” ka thënë Ymeri.