Zbardhet agjenda e vizitës së Edi Ramës në Serbi

Televizioni ABC News ka mundur të sigurojë draft- agjendën e vizitës dy ditore të kryeministrit Rama në Serbi me 22 dhe 23 tetor. 

Lajme

17/10/2014 19:04

Mëngjesin e të enjtes së ardhshme, Edi Rama dhe delagacioni prej 14 vetash, i përbërë dhe nga ministrat Bushati e Ahmetaj, pasi të jetë ulur mbi aeroportin e Beogradit, do të pritet në orën 11 nga homologu Aleksandar Vuçiq në pallatin Serbia. Këtë herë të dy shefat e qeverive do të jenë të detyruar, edhe me protokoll, të dëgjojnë himnet e flamurit të dy vendeve, pa u shqetësuar nga britma apo fërshëllima. 

Emrat e delegacionit shqiptar që do të shkojë në Beograd

Pas takimit kokë më kokë të dy kryeministrave, dhe atyre të dy delagacioneve, në orën 12. 15 minuta, Rama e Vuçiq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku me gjasë do të përgjigjen edhe për atmosferën e tensionit diplomatik të krijuar mes dy vendeve pas ndeshjes së 14 tetorit dhe deklaratat e ashpra të shefit të qeverisë së Beogradit, në adresë të shqiptarëve. 

Pjesë nga agjenda e takimeve të kryeministrit Rama në Beograd

Me përfundimin e konferencës, 45 minutat pasuese i janë rezervuar presidentin serb Tomisllav Nikoliq, dhe pas tij, në radhën e takimeve zyrtare, është ai me kryetaren e parlamentit. Në takimin me Nikoliq, kryeministri shqiptar do të shkojë një javë pas deklaratave të tij se shqiptarëve u duhet një shekull të bëhen shtet dhe pritet sigurisht një reagim për këtë nga Edi Rama.

Pasditja e delegacionit shqiptar vijon me pjesëmarrjen e kryeministrit në një forum me titull “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ku veç përfaqësuesve të trupit diplomatik, marrin pjesë edhe ata të biznesit nga të dy vendet dhe shoqëria civile.

Ish kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, tashmë kryeministër, mbrëmjen e 22 tetorit, do të marrë nga kryebashkiaku i Beogradit, çelësin e qytetit, një simbol ky me të cilin edhe vetë Rama pati nderuar muzikantit serb Goran Bregoviq në kohën kur qeveriste Tiranën.

Pasi të jetë pajisur edhe me çelës, Edi Rama pritet të realizojë edhe një shëtitje në këmbë në qytet. Kjo shëtitje ndoshta është planifikuar për të dëshmuar tolerancën e qytetarëve serbë, por pas ndeshjes së të martës nuk dihet nëse do të mbetet në fuqi.

Mëngjesi i të nesërmes e zhvendos shefin e qeverisë shqiptare dhe delegacionin shoqërues, në Preshevë, fillimisht në sheshin “Liria”, para godinës së kwshillit komunal, ku më pas do mbajë dhe një fjalim në një podium të improvizuar. Më pas zoti Rama do të ecë në këmbë deri në maternitetin e financuar pjesërsisht nga qeveria shqiptare. Dita e dytë e vizitës, apo 23 tetori, përkon edhe me datën e vendimit te Uefas për ndeshjen e shumëdiksutuar Serbi- Shqipëri.

Sipas ABC News, Bujanovci do të jetë ndalesa e fundit e delegacionit shqiptar, pas të cilit, disa minuta përmbyllëse do të shpenzohen në fabrikën “Protex”.

Largimi nga territori serb do të bëhet në rrugë tokësore, përmes pikës së Konculit.

Por gjithçka është parashikuar në këtë draft vizitë, mund të variojë në varësi të zhvillimeve të tjera. Dhe vizita e këtij niveli, e quajtur historike dhe që vjen pas 70 vjetësh, mund të pësojë surpriza të minutës së fundit pas tensionimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Gjithsesi, ajo nuk të jetë vizita e bujshme, që pritej të ishte para ndeshjes, me sloganet për forcim e fqinjësisë së mirë.