Zaev: Përfundimisht e dëshmova pafajësinë time dhe e prita drejtësinë

Jam i lumtur që u soll aktvendim për lirim dhe që përfundimisht e dëshmova pafajësinë time dhe e prita drejtësinë, deklaroi kryeministri Zoran Zaev sot pas publikimit të aktvendimit për lirim për lëndën “Ryshfeti”.

Lajme

21/05/2018 16:33

Ai theksoi se Republika e Maqedonisë mund të jetë vend normal vetëm nëse ka gjyqësi të pavarur dhe procedura transparente, siç ishte edhe procedura për lëndën “Ryshfeti”.

Kryeministri tha se do ta presin edhe të drejtën e ankesës për aktvendimin nga Prokuroria.

Para mediave Zaev përsëriti se ka pritur aktvendimi të jetë për lirimin e tij, pasi që siç tha, në procedurën dëshmuese i kanë dëshmuar të gjitha gjërat, ndërsa më pas ndodhi edhe rikualifikimi i aktakuzës.

Zaev kërkoi prej institucioneve të cilat e kanë që publikisht ta publikojnë incizimin e masave të posaçme hetimore dhe siç tha nëse ia dorëzojnë, ai personalisht do ta publikojë që të shihet se nuk ka kërkuar ryshfet.

“Në tri vendet ku është ndërprerë incizimi saktë do të shihet se për çfarë bëhet fjalë dhe se në mënyrë të lig është bërë shkurtimi i pjesëve kur bisedojmë për çimento, beton, hekur, për pagën e punëtorëve… Më vjen mirë që Gjykata e përcaktoi të vërtetën. Gjithçka kam bërë në Strumicë ishte transparente dhe kishte qasje në opinion. Apelova biznesmenët të jenë shembull për qytetarët dhe të dhurojnë për ndërtimin e kishës”, tha Zaev.

Në pyetjen lidhur me deklaratën e Nikolla Gruevskit i cili para disa ditësh e kishte paralajmëruar këtë vendim, kryeministri Zaev u përgjigj se Gruevski një kohë ka qenë njohës i mirë i gjyqësisë dhe se tani kjo gjyqësi nuk është e njëjtë me atë që e kontrollonte ai.

Gjykatësi Darko Todorovski nga Gjykata Penale në Shkup e liroi nga përgjegjësia kryeministrin Zoran Zaev, i cili ishte i akuzuar në rastin “Ryshfeti”.

Në leximin e aktgjykimit, gjyqtari Todorovski theksoi se prokurori publik nuk arriti të dëshmojë se i akuzuari Zaev e ka kryer veprën që i ngarkohej dhe nga këto shkaqe solli aktgjykim lirues.

Në seancën e kaluar prokurorja Valentina Bislimovska kërkoi ndërrim të aktakuzës dhe në vend të marrjes së ryshfetit, i akuzuari Zoran Zaev të gjykohet për kërkim të ryshfetit. Prokurorja për këtë vepër penale kërkoi nga Gjykata  t’i shqiptojë aktgjykim dënues, i cili, sipas ligjit, është prej një deri në pesë vite burgim.

Zaev në seancat paraprake tha se pret aktgjykim për lirim në këtë proces gjyqësor, sepse siç deklaroi, bëhet fjalë për rast të montuar me qëllim që të parandalohet t’i publikojë “bisedimet e përgjuara”.

Kryeministri Zaev akuzohet se si kryetar i Komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet prej 160.000 eurove nga biznesmen i Strumicës Ivan Nikollov Saçevalliev./Lajmi.net/