Zaev: Një votë më shumë “kundër” do ta anulonte marrëveshjen me Greqinë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se në rast në rezultati i referendumit, më 30 shtator, rezulton me një votë më shumë “kundër” se sa “për”, atëherë do të anulojë marrëveshjen me Greqinë për kontestin e emrit.

Lajme

25/09/2018 17:10

Kreu i qeverisë tha se beson se referendumi do të jetë i suksesshëm, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit dhe i bëri thirrje liderëve të të gjitha partive që të deklarohen se si do të veprojnë në ditën e referendumit.

“Vendimet tona, i imi, i (Nikolla) Dimitrovit nuk do të kenë asnjë vlerë nëse populli nuk i voton. Kjo është e bukura e referendumit. Premtimi që të organizohet referendum rrjedh nga VRMO-DPMNE-ja qysh para 12 vjetëve, dhe ne si LSDM e kemi pranuar dhe është mirë që këtë premtim ta mbajmë. Në faqen 295 të programit të VMRO-DPMNE-së shkruan se ‘vetëm qytetarë në referendum do ta sjellim vendimin’, dhe unë pajtohem 100 përqind me këtë. Unë pajtohem me VMRO-në dhe besoj se kështu do të veprojmë në ditën e referendumit. Unë do të votoj ‘për’. Edhe liderët e tjerë duhet t’i tregojnë qëndrimet e tyre, pasi udhëheqim subjekte politike, përgjegjësia jonë është që të marrim vendime dhe ato duhet ti dinë qytetarët”, ka deklaruar Zaev.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin e deritanishëm që qytetarëve t’i lihet vet të vendosin se si do të veprojnë në referendum, duke mos i ftuar të votojmë apo të mos votojnë, më 30 shtator.