Zaev do ta publikojë edhe një “bombë” për rastin “Monstra”

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev në emisionin e mbrëmshëm “Rruga drejt...” paralajmëroi se posedon materiale që dëshmojnë, sipas tij, dëmet e qëllimeve të sëmura të pushtetit.

Lajme

13/02/2015 14:16

I pyetur nëse në mesin e materialeve ka dëshmi për urdhërimin e vrasjeve nga funksionarë të lartë qeveritarë, Zaev nuk u përgjigj konkretisht, por konfirmoi se qëllimi i keq ka shkuar tepër larg.

“Çdo lloj dëshmie që kemi do ta publikojmë dhe gjithçka do të shkojë hap pas hapi, ashtu siç ka ndodhur dhe është paramenduar ta realizojmë. Por më duhet të pohoj se qëllimi i keq ka shkuar deri në pafundësi dhe mos ta them, deri në sëmundje. Por gjithçka që kemi, gjithçka do të publikojmë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Lideri i LSDM-së tha gjithashtu se një numër i madh njerëzish të pafajshëm dergjen nëpër burgje për shkak të hakmarrjeve politike dhe vetëpëlqimit të disa pushtetarëve.

“Ka shumë të burgosur politik, ka shumë njerëz të cilët janë në burg për shkak të vetëpëlqim dhe narcisizmit të pushtetarëve. Qytetarët mund ta kuptojnë siç duan, kjo sigurisht ka dimensione të ndryshme. Ka shumë njerëz të cilët për shkak të kapriceve personale të individëve gjithashtu janë brenda. Kjo është e për të ardhur keq”, deklaroi  Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev nuk precizoi nëse në mesin e personave të pafajshëm që ndodhen burgjeve janë edhe të arrestuarit për rastin Monstra, por premtoi se gjithçka që posedon lidhur me këtë proces do ta ndajë me opinionin.

“Pra nëse ka çfarëdo lloj materiali, po qoftë të jep edhe një drejtim, për zbardhjen e rastit, besoni se do të zbardhet. Nuk e premtoj vetëm para opinionit tonë, si qytetar i Maqedonisë, para së gjithash edhe para familjes së fëmijëve të vrarë, para familjeve të burgosurve, sepse të gjithë presin një lloj drejtësie, dhe kjo nuk është vetëm obligim ligjor dhe kushtetues, por edhe shpirtëror. Është obligim moral dhe etik. Patjetër të ndodhë. Gjithçka që ka të bëjë me këtë lloj akti kriminal apo çfarëdo lloj të akteve kriminale, dhe veprimtarie të paligjshme, ju premtoj publikisht se do ti publikoj deri në fund. Për këtë do të ketë edhe procese, jam i bindur”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Duke komentuar qëndrimet e partive shqiptare lidhur me përgjimet dhe procesin e filluar nga LSDM-ja, Zaev theksoi se i kupton Ahmetin dhe Thaçin pse janë të përmbajtur. Ai tha se është i hapur për bashkëpunim me cilindo subjekt politik që merr guximin të kundërshtojë politikat e Gruevskit. Ai madje u shpreh i bindur se në zgjedhjet  e ardhshme, pavarësisht se kur mbahen ato, kryeministri Gruevski nuk do të jetë më politikan dhe karriera e tij do të merr fund me publikimin e plotë të dëshmive./AlsatM/