Z.Haradinaj kundër Ramushit

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka ndryshuar shumë për dy vjet. Në vitin 2013, dënonte aktet e dhunës të shkaktuara nga Vetëvendosje. Por sot, është duke i bërë të njëjtat veprime si dikur Vetëvendosje, madje në një kontekst shumë të ngjashëm.

Opinion

11/02/2016 20:07

Nuk kanë kaluar as dy vjet prej 27 qershorit 2013. Atë ditë, në seancë te veçantë,  u ratifikuan marrëveshjet e prillit që erdhën si rezultat i negociatave të Brukselit. Atëherë Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së,  ishte kundër veprimeve të dhunshme të Vetëvendosjes.

Në atë kohë, Haradinaj  përdorte një retorikë shumë të ngjashme më atë të mazhorancës ë sotme.

Edhe në atë kohë,  deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u përpoqën ta bllokonin dhunshëm zhvillimin e seancës që si pikë të rendit të ditës, kishte ratifikimit të marrëveshjes të nënshkruar nga ish kryeministrat Hashim Thaci i Kosovës e  Ivica Daçiq i Serbisë.

Atëbotë, në momentin kur kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi fillimin e votimit për  ratifikimin e marrëveshjes, deputetet e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Liburn Aliu, tentuan ta pengojnë  atë. Në atë moment, ata  ia rrëmbyen mikrofonin kryeparlamentarit Krasniqi.

Pretendimi i tyre ishte se nuk duhet të votohet ajo marrëveshje. Paralelisht, Vetëvendosje kishte organizuar një protestë jashtë Kuvendit dhe aktivistët e saj,  fillimisht me pengesa fizike, tentuan të ndalojnë disa deputetë dhe personalitete tjera të mos i lejojnë  të hyjnë në Parlamentin e Kosovës. Veprimet e tyre kishin vazhduar me akte  dhune edhe ndaj zyrtarëve policorë, duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë dhe gurë ndaj zyrtarëve policorë.

Një ditë më pas, lideri i AAK, Ramush Haradinaj goditi ashpër veprimet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai pati thënë se  përpjekjet për të penguar seancën me anë të dhunës,  ishin të dëmshme dhe si të tilla janë të papranueshme për Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por sot, ai ka ndryshuar shumë. Tash është duke i bërë të njëjtat veprime si dikur Vetëvendosje, madje  në një kontekst shumë të ngjashëm.

Z Haradinaj i atëhershëm, i kishte dënuar këto veprime, në një  intervistë: “Shprehim mospajtim të plotë me sjelljet e tyre dhe si AAK jemi tepër të pakënaqur dhe janë të papranueshme për ne. Aq sa kanë të drejtë deputetët e Vetëvendosjes në Kuvend, po ato të drejta i kanë edhe deputetët tjerë. Nuk bëhet kështu që një pakicë politike t’i bëjë  këto veprime, nuk është në rregull, sidomos për çështjen e marrëveshjes që është ratifikuar dje, pasi që nuk është kthim prapa, por është avancim i juridiksionit tonë në veri dhe është zbutje për veriun”.

Po ashtu në komunikatën për shtyp që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte lëshuar në atë periudhë, kjo parti e kishte dënuar rëndë sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje,  duke e cilësuar si sjellje vandale.

Në komunikatën e atëhershme, ata shpreheshin shumë ngjashëm me qëndrimet e mazhorancës së sotme  duke thënë se:  “Dhuna dhe forma të tilla të sjelljes në dhe afër institucioneve të vendit, janë në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike, të lirisë së lëvizjes dhe të kryerjes së punës nga të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës. Aktivistët e VV jashtë ndërtesës dhe deputetët e saj brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kanë vënë hije të keqe vendit dhe kanë cënuar imazhin e institucioneve tona në sy të qytetarëve dhe të miqve tanë ndërkombëtarë”. /Analizë nga lajmi.net