Ymeri: Zbatimin e marrëveshjeve të dy qeverive ta mbikëqyrin komisionet parlamentare

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka propozuar që, përveç mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, të ketë mbledhje edhe të komisioneve parlamentare të dy vendeve.

Lajme

24/03/2015 13:17

Ymeri gjatë një takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi është shprehur se këto mbledhje të komisioneve parlamentare do duhet të mbikëqyrnin zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

“Mbledhjet të tilla mes dy qeverive të ndiqen edhe me mbledhje të përbashkëta midis komisioneve parlamentare të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve të arritura si dhe për të propozuar edhe marrëveshje të tjera në të ardhmen”, tha ai.

Ai e mbështeti nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me qëllim ndërtimin e një tregu të unifikuar.

Kurse ambasadori Minxhozi, e njoftoi Ymerin për temat e diskutuar dhe llojin e marrëveshjeve të arritura. Ai vuri theksin te nevoja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.