Ymeri thotë se shteti ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka komentuar raportin e organizatës Human Rights Watch.

Lajme

17/01/2019 16:35

Ai ka thënë se Kosova ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Derisa ka shtuar se komuniteti rom, ashakli dhe egjiptas në Kosovë, jetojnë në një pozitë të vështirë.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka thënë se në këtë raport Kosova kritikohet edhe për rastet e dhunës në familje, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Ymerit:

DËSHTIMI NË MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT ËSHTË DËSHTIM INSTITUCIONAL E SHOQËROR

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Ëatch e vlerëson vitin 2018 të ketë qenë vit i ngadalësimit të përparimit në mbojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Si rastet më problematike në këtë drejtim vlerësohen të kenë qenë llogaridhënia institucionale (vendore e ndërkombëtare), trajtimi i pakicave kombëtare e atyre shoqërore, dhuna familjare dhe liria e medias.

Nga ky raport vërehet se komuniteti rom, ai ashkali dhe komuniteti egjiptas jetojnë në pozitën më të vështirë shoqërore krahasuar me të gjithë të tjerët. Ndjeshmëria institucionale karshi të drejtave të tyre është shumë më e ulët se sa në secilin rast tjetër. Dhe këtu nuk dallojnë institucionet ndërkombëtare prej atyre vendore. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit janë të diskriminuar deri në përjashtim dhe të shpërfillur deri në harresë. Rasti i fundit që bëri bujë snë këtë drejtim ishte dënimi maksimal për një të ri 18 vjeçar rom i cili ishte akuzuar për grabitje. Ky trajtim diskriminues ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptasve është i pajustifikueshëm, i dëmshëm, i padrejtë dhe papranueshëm.

Gjëja e dytë që vihet në spikamë në raport është edhe neglizhenca institucionale karshi rasteve të dhunës familjare dhe trajtimit të grave në përgjithësi. Ka pasur shumë raste të dhunës familjare që kanë rezultuar edhe me fatalitet gjatë këtij viti në Kosovë.

Një regresion të tillë institucional e shoqëror në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e një shoqërie të lirë, kur edhe ashtu nuk është se kemi qenë të avansuar në këtë drejtim është shqetësues dhe alarmues. Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen nga institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, dhe nga institucionet publike në përgjithësi. Por duhen edhe kultivuar në shoqëri, për t’u bërë pjesë e mentalitetit e kulturës sonë në përgjithësi. Sa më shumë liri që kërkojmë aq më shumë emancipim shoqëror do të arrijmë. Dhe anasjelltas një shoqëri e paemancipuar nuk mund të jetë shoqëri e lirë. Në këtë drejtim, kur ja cungojmë të drejtat tjetrit, ia kemi cunguar lirinë vetes. Shoqëria jonë duhet të jetë shoqëri lirie, barazie e solidariteti për të gjithë. /Lajmi.net/