Ymeri thotë se PDK është në panik

Partia Demokratike e Kosovës është në panik për shkak të zhvillimeve të fundit pas zgjedhje të përgjithshme. Kjo parti doli me humbjen më të madhe.

Lajme

25/07/2017 12:00

Kështu ka thënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke shtuar se PDK-ja për shkak të panikut po sulmon njerëz të caktuar të kësaj partie.

“PDK është në panik dhe është subjekti që ka pësuar humbjen më të madhe në zgjedhjet e fundit. PDK-së jo vetëm që po i rrezikohet pushteti, por bashkë me të edhe përfitime dhe uzurpimet e pronave publike”, ka thënë Ymeri, raporton Insajderi.

Ai ka thënë se me formimin e qeverisë nga Vetëvendosje, PDK e di që format e veprimit të saj për t’u pasuruar do të ndërpriten.

“Për shkak të kësaj PDK përmes ShIK-ut nuk zgjedh forma për ta sulmuar Vetëvendosjen, sepse ajo e di se me formimin e qeverisë nga Vetëvendosje, të gjitha këto forma të pasurimit dhe manovrimit do të ndërpriten”, ka thënë Ymeri.

Duke folur për akuzat e fundit të zyrtarëve të PDK-së drejtuar disa personave të Vetëvendosjes, Ymeri ka thënë se PDK po bën fushatë për shkak të zgjedhjeve lokale.

“PDK është angazhuar në një fushatë për të sulmuar njerëz të veçantë, sidomos në komunën e Prishtinës, sepse tash jemi afër zgjedhjeve”, ka thënë ndër tjera kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri