Ymeri thotë se në Qeverinë e Vetëvendosjes do të formohet ‘Fondi Sovran’

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shpalosur disa nga prioritetet  që do t’i ketë Kosova pas marrjes së Qeverisë.

Lajme

26/05/2017 14:18

Ymeri të premten në një konferencë për media, ka thënë se si prioritet kryesor do ta kenë zhvillimin ekonomik, punësimit, të bujqësisë dhe të tregut.

Ai ka thënë se masa kryesore nga Lëvija Vetëvendosje do të jetë themelimi i fondit sovran.

“Si pikë e parë ne jemi përqendruar të rritja e kapaciteteve investuese ku në njërën anë ta rrisim prodhimin vendor dhe në anën tjetër të krijojmë hapësira tregtare dhe masa e parë qe do ta ndërmarrim është themelimi i fondit sovran, ky fond do të rrisë punësimin dhe do të mundësoj prodhimin. Ky fond do ta nxis krijimin e ndërmarrjeve të reja, do ta ndihmojë shndërrimin e ndërmarrjeve të vogla në të mesme dhe prej atyre të mesme në të mëdha. Do të krijojmë një dinamikë ekonomike krejt ndryshe . Fondi Sovran do të jete në bashkërendim të plotë me Agjencinë për Zhvillim qe do themelojë Qeverisja e Vetëvendosjes,  ndërsa Agjencia për Privatizim do të shuhet”, ka thënë Ymeri.

Ai ka shtuar se si pasojë e privatizimit në Kosovë industria që e ka pasur Kosova është rrënuar gati plotësisht. Ndërsa  me qeverisjen e Vetëvendosjes do t’i konsumojmë prodhimet vendore./Lajmi.net/