Ymeri: Protestat për rrëzimin e Thaçit janë legjitime

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se fajtorët kryesor për ngërçin politik janë Hashim Thaçi, Enver Hasani dhe Flora Brovina.

Lajme

06/11/2014 08:38

Në një intervistë dhënë për “Zëri”, Ymeri ka thënë se PDK-ja po e mban të “uzurpuar” shtetin.

Ai ka mohuar çdo mundësi të një bashkëqeverisjeje në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes, duke thënë se shteti duhet “pastruar nga SHIK-u”

“Fajtorët dhe përgjegjësit e drejtpërdrejtë karshi kësaj situate të krijuar janë udhëheqja e PDK-së dhe tentakulat e saj uzurpuese të shkrira në institucionet formalisht të pavarura të shtetit, sic janë Gjykata Kushtetuese por deri diku edhe Zyra e Presidentes të vendit. Kjo është tashmë e qartë, treshja: Hashim Thaçi, Enver Hasani dhe Flora Brovina po e mbajnë të ngujuar vullnetin e shprehur publikisht të shumicës së deputetëve të Kuvendit, që e kanë edhe mundësinë, por edhe të drejtën e detyrën që ta vazhdojnë seancën konstituive drejt përmbylljes së saj me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”.

“Ky shtet duhet pastruar nga SHIK-u dhe nga kjo strukturë matrapazësh të PDK-së. Në këtë drejtim është vështirë të imagjinohet cila situatë mund të jetë më e dëmshme sesa vazhdimi i PDK-së në pushtet”.

Duke folur për thirrjet për protestë që ka bërë i pari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti, Ymeri ka thënë se protesta asesi nuk duhet barazuar me dhunë.

Ai mendon se një protestë për të rrëzuar pushtetin “uzurpues” do të ishte legjitime.

“Kjo lidhje që ia bëni protestës me dhunë është e paqëndrueshme e edhe e dëmshme. Sepse nëse i vëmë shenjën e barazimit protestës me dhunën, atëherë kemi kërkuar tashmë që të mos ketë protesta kurrë. Dhe pushteti pikërisht këtë e do, që qytetarët të mos protestojnë kurrë dhe t’i pranojmë padrejtësitë që mund të vijnë nga ai si të mirëqenë”.

“Ne kemi kërkuar që të organizojmë protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia ka mundësuar kapjen e shtetit PDK-së. Dhe mendojmë që ka legjitimitet të plotë që qytetarët të protestojnë kundër një uzurpimi të tillë që pakica parlamentare po ia bëm institucioneve publike të shtetit, duke i vënë ato në funksion të interesave private të pushtetit”, ka thënë Ymeri për Zëri.