Ymeri: Përndjekja ndaj Albinit dhe Donikës nuk ka përfunduar

Kryetari i Vetëvendosjes ,Visar Ymeri, ka reaguar pas lirimit nga paraburgimi të Donika Kadajt dhe Albin Kurtit.

Lajme

29/12/2017 14:40

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se edhe pse është mirë që ata janë liruar, sipas tij përndjekja ndaj tyre ende nuk ka përfunduar.

Sipas Ymerit, Kalludra po i gjykon deputetët e VV-se sepse këta të fundit ja mbrojtën sovranitetin e Kosovës si dhe kushtetushmërinë të cilën synon ta përmbys Vuciqi përmes Thacit e Mustafës.

Ymeri shkruan se gjykimi është politik dhe nuk mund të jetë i drejtë, duke përmendur kështu edhe dënimin e aktivistëve të tjerë të VV-së.

Ky është reagimi i plotë i Ymerit në Facebook:

“Albinit dhe Donikës, Kalludra ua ndërpreu paraburgimin e padrejtë e tërësisht të panevojshëm.

Është shumë mirë që nuk do të mbahen më në burg. Por përndjekja ndaj tyre nuk ka përfunduar. Procesi ndaj Albinit, Donikës, Albulenës e Fatonit po vazhdon. Më 3 janar të vitit të ardhshëm do të shqiptohet vendimi i trupit gjykues ndaj tyre, i prirë nga Beqir Kalludra.

Ky gjykatës po i gjykon deputetët e Kuvendit të Republikës sepse këta ia mbrojtën sovranitetin e territorin kësaj Republike! Ia mbrojtën asaj kushtetuetshmërinë të cilën synonte ta përmbys Vuçiqi përmes Thaçit e Mustafës. Praktikisht Kalludra po thotë se kushtetueshmëria e Republikës nuk është e rëndësishme – ankesat e disa prej eksponentëve të pushtetit që e ka kap shtetin janë ligji në Kosovë!

Gjykimi është politik. Kështu ai nuk mund të jetë i drejtë. Kur nuk është i drejtë është i padrejtë. E gjykata që shqipton padrejtësi nuk mund të jetë gjykatë.

Të mos harrojmë se e njëjta i dënoi Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adean pa asnjë provë përmes një vendimi skandaloz gjyqësor. Pra kjo gjykatë e ky gjykatës e kanë dëshmuar tashmë se shqiptimin e padrejtësisë e kanë punë të zakonshme.

Deputetët duhen liruar menjëherë nga ky proces i padrejtë.

Aktivistët e dënuar duhen liruar menjëherë nga përndjekja që po u bëhet.

“Padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë çdokund.” “