Ymeri: Kundër Tribunalit, pro rrëzimit të Qeverisë

Visar Ymeri thotë se Vetëvendosje është kundër krijimit të Tribunalit për Kosovë, pasi ai do të shtrembëronte luftën e UÇK-së. Shpërbërja e Kuvendit do të shfajësonte Qeverinë. Ndërkaq, EULEX do t’i lëshonte rrugë ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë.

Lajme

02/04/2014 13:31

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se subjekti i tij politik është kundër themelimit të Tribunalit sepse kështu Kosovës do t’i vihej faji për krime të luftës së fundit, dhe njëherësh do të keqësonte imazhin e shtetit në aspektin ndërkombëtar.

“Kemi kundërshtuar themelimin e Tribunalit për krime të luftës në Kosovë. Themelimi i tij do ta rëndojë jashtëzakonisht Kosovën në aspektin ndërkombëtar, e njëkohësisht do ta paraqes një pasqyrë të shtrembëruar të shqiptarëve dhe UÇK-së, duke na e veshur ne faturën e krimeve”.

Ymeri tha se pikërisht deklaratat e Kryeministrit Thaçi, se ai ka qenë larg fronteve të luftës, i hapën rrugë themelimit të këtij Tribunali. Ai thotë se institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për të mbrojtur luftën e UÇK-së.

“Janë pikërisht deklaratat e Kryeministrit Hashim Thaçi të cilat i hapën rrugë themelimit të tribunalit. Kur ai deklaronte se ka qenë larg fronteve të luftës, ai e sakrifikonte UÇK-në për ta shpëtuar veten”.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta mbrojtur luftën e UÇK-së. Ajo as nuk përmendet në Kushtetutën e Republikës, e as në ligjet e aplikueshme në Kosovë në përjashtim në Ligjin për Veteranët”.

Duke folur për zgjedhjet dhe rrugën se si të shkohet deri tek ato, Ymeri beson se shpërbërja e Kuvendit do të ishte metodë jo e mirë.

Ai tha se me shpërbërjen e Kuvendit fajësohet Kuvendi dhe amnistohet Qeveria.

“Njëra prej metodave që po përflitet që do të përdoret për t’i hap rrugë mbase zgjedhjeve është shpërbërja e Kuvendit, e cila si ide rrjedh nga takimi në mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit”.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë marrëveshje, mënyrën se si është arritur ajo, por dhe jemi kundër shpërbërjes së Kuvendit si metodë, sepse konsiderojmë se kjo metodë e fajëson Kuvendin. Thotë që degradimi politik, ekonomik dhe social i vendit është pasojë e Kuvendit dhe në këtë mënyrë amnistohet Qeveria. Është metodë e cila i konvenon më së shumti Qeverisë aktuale”.

Vetëvendosje, sipas Ymerit, angazhohet që të shkojë drejt zgjedhjeve duke rrëzuar Qeverinë, por që në mocionin e mosbesimit ndaj saj, duhet të jetë i shkruar edhe kundërshtimi për bisedimet me Serbinë dhe jo arsyetimi se Qeveria nuk i ka numrat në Kuvend.

“Ne angazhohemi që rruga drejtë zgjedhjeve të jetë ajo e rrëzimit të Qeverisë dhe me këtë drejtim angazhohemi që rrëzimi i Qeverisë të jetë njëkohësisht kundërshtim i politikave të saj, e jo vetëm i njerëzve në të”.

“Një mocion mosbesimi kundër qeverisë duhet domosdoshmërish të përmbajë në të kundërshtimin e marrëveshjes, negociatave dhe koncesioneve ndaj Serbisë”.

Ymeri tha po ashtu se riformatimi i EULEX-it nuk nënkupton më shumë sovranitet për Kosovën, por më shumë koncesione me Serbinë.

Vetëvendosje është kundër EULEX-it, sepse është një formacion me kompetenca ekzekutive dhe neutral karshi sovranitetit.

“Arsyetimi themelor për riformatimin e EULEX të cilin e ka përdorur Qeveria është ndryshimi i rrethanave në terren. Pra me këtë nuk nënkuptohet më shumë sovranitet për Kosovën por më shumë koncesione ndaj Serbisë”.

“Qeveria po kërkon që EULEX të ndryshojë, jo që Kosova të bëhet sovrane, që t’i lëshojë udhë ndërhyrjes së Serbisë”.

“Ne e kundërshtojmë praninë e EULEX, pikërisht duke u nisur nga parimi i shtetit sovran. Shteti sovran nuk mund të ketë brenda vetes formacione me kompetenca ekzekutive e aq më tepër ato që janë neutrale karshi sovranitetit të shtetit, që i bie të mos e njohin vet ekzistencën e shtetit”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.