Ymeri: Këtij pushteti s’i ka mbetur as fytyrë e as legjitimitet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Isa Mustafa, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi e kanë kuptuar se “këtihj pushteti nuk i ka mbetur as fytyrë e as legjitimiteti”.

Lajme

14/12/2015 20:39

Postimi i plotë:

Egërsia e Mustafës, Veselit e Thaçit, flet zëshëm për të vërtetën që e kanë kuptuar edhe ata: Këtij pushteti nuk i ka mbetur as fytyrë e as legjitimitet. Bashkë me marrëveshjet e tyre, këta e kanë humbur edhe argumentin. Krejt çfarë u ka mbetur është të shfryhen duke akuzuar, kërcënuar e nxitur aparatin shtetëror për ‘qërim hesapesh’ me opozitën.

Nga skuta që po e quajnë sallë ata edhe një herë i shpërfaqën tendencat e tyre autoritare, duke kërkuar prapë më shumë polici, polici edhe më të dëgjueshme, për t’i sulmuar kundërshtarët politik, e për t’i shpërblyer bashkëpunëtorët e tyre Vuçiqin e Daçiqin.

Ne do ta mbrojmë Kuvendin nga kjo klikë zaptuesish. Ne do ta mbrojmë Kuvendin e Republikës për të mos e lënë klikën e zaptuesve ta shndërrojnë atë në vegël të interesave të Serbisë. Ne do ta mbrojmë Republikën nga ‘Zajednica’. Këtë e kemi obligim dhe e kemi përgjegjësi legjitime.