Ymeri thotë se protesta e 17 shkurtit do të jetë paqësore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke komentuar deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa se nuk shkon me dëshirë në bisedime me Serbinë, ka deklaruar se nëse nuk shkon me dëshirë, atëherë nuk e di pse ai po shkon.

Lajme

31/01/2016 13:12

Ymeri ka përsëritur se ky dialog me Serbinë duhet të ndërprehet sepse tenton ta ndryshojë Kosovën nga brenda në favor të Serbisë.

“Po nëse nuk po shkon me dëshirë, atëherë pse po shkon. Unë nuk e di pse po shkon Isa Mustafa në bisedime. Dialogu me Serbinë duhet të ndërprehet për shkak se në formën dhe karakterin që e ka, është e qartë se ky dialog mëton ta ndryshojë Kosovën për së brendshmi, territorialit dhe institucionalisht për të ia përshtatur atë interesave të Serbisë”, ka thënë ai.

Ai tha se po punojnë që protesta e 17 shkurtit të jetë sa më masive dhe ajo që vërehet është se qytetarët janë shumë të pakënaqur me Qeverinë.

“Numri i qytetarëve nëpër sheshet dhe rrugëve të Kosovës, veçanërisht në shesh et e Prishtinës do të shkoj duke u rritur sepse pakënaqësia e tyre po shkon duke u rritur dhe sepse kjo qeveri po e përmbyt përfundimisht perspektiven dhe shpresën për këtë vend”, tha ai.

Ymeri shtoi se protesta do të jetë paqësore dhe do të kërkohet anulimi i marrëveshjeve që rrezikuan ta zhbëjnë Kosovën si republikë, por gjithashtu do të kërkohet që kjo qeveri e shkelësve të Kushtetutës dhe e nëpërkëmbyesve të dinjitetit dhe vullnetit të qytetarëve të largohet.