Ymeri: Gjykimi ndaj deputetëve të VV-së e shpërfaq Kosovën si skizofrene

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë  se gjykimi ndaj katër deputetëve të kësaj partie është skandaloz.

Lajme

07/12/2017 13:45

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky gjykim e shpërfaq Kosovën si skizofrene.

“Ky pushtet e ky gjyqësor ka për qëllim ta gjykojë e ndëshkojë kundërshtimin ndaj tij. Jo ta mbrojë territorin. Jo ta mbrojë sovranitetin. Jo të garantojë drejtësi. Jo ta garantojë Republikën”, është shprehur Ymeri.

Postimi i plotë:

Edhe sot po vazhdon gjykimi skandaloz e politik ndaj 4 deputetëve të Lëvizjes: Albinit, Donikës, Albulenës dhe Fatonit.

Ky gjykim e shpërfaq Republikën e Kosovës si skizofrene: në njërën anë Kushtetuesja e shpallë Zajednicën si tërësisht antikushtetuese duke e rrezikuar përmbysjen e rendit kushtetues; njëkohësisht Komisioni shtetëror konstaton zyrtarisht se Marrëveshja për Demarkacion e cenon integritetit territorial të Republikës; e në anën tjetër Gjykata themelore i gjykon deputetët që e mbrojtën rendin kushtetues e integritetin territorial të Republikës.

Këtu shihet qartë e zëshëm “dora e fshehtë” e prontopushtetit përmbi gjyqësor. Ky pushtet e ky gjyqësor ka për qëllim ta gjykojë e ndëshkojë kundërshtimin ndaj tij. Jo ta mbrojë territorin. Jo ta mbrojë sovranitetin. Jo të garantojë drejtësi. Jo ta garantojë Republikën.

Liri për deputetët. Për Albinin, Albulenën, Donikën, Fatonin.

Liri për aktivistët. Për Frashërin, Egzonin, Atdheun, Adean.

Drejtësi për Astritin./Lajmi.net/