Ymeri e akuzon Veselin për shkelje në seancën e sotme

Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Visar Ymeri ka akuzuar kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli se ka bërë një mori shkeljesh në seancën e sotme parlamentare.

Lajme

19/07/2018 15:42

Sipas Ymerit, kryetari Veseli bëri shkelje duke mos e vendos fare në votim mocionin e grupit të tyre parlamentar për të diskutuar rreth fazës përfundimtare të dialogut.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se qëndrimi i grupit parlamentar të PDK-së se nuk do t’i përkrahin nismat e opozitës nëse kjo e fundit bojkoton votimin në Kuvend është i pakuptimtë.

Postimi i plotë i Ymerit:

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot bëri shumë shkelje, së pari duke mos e vendosë këtë çështje në votim, së dyti duke kërkuar marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare. Por, edhe pas dakordimit tonë, që kjo çështje të hedhet në votim në seancën e re, ai këtë nuk e bëri. Ai i bëri sërish dy shkelje, nuk lejoi fjalën e propozuesit dhe as nuk i lejoi deputetët të vendosin për mocionin.

Sot qartazi kishte interesim nga deputetët që të debatojmë për dialogun në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu edhe u dakorduam me të gjitha grupet parlamentare në fillim të seancës. Sidoqoftë Grupi parlamentar i PDK-së ndërruan mendje dhe kryetari i Kuvendit përkundër marrëveshjes në mes të grupeve parlamentare nuk e hodhi fare në votim mocionin. Kjo është shkelje procedurale.

Për më tepër se kaq, ky dialog dhe mësyerja e pakuptimtë për vazhdimin e tij pa legjitimitet demokratik nga Kuvendi e pa platformë e strategji, e rrezikon seriozisht Republikën tonë.

Deri tash ky dialog, prej se ka filluar në vitin 2012 na e ka ndryshuar emrin politik nga Republika në fusnotë, na e ka fuqizuar e zyrtarizuar praninë politike të Serbisë në Kuvend e Qeveri përmes listës serbe, dhe së fundi rrezikoi të na e kthej me kokë te poshtë rendin kushtetues përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për ta formalizuar ndarjen, e thelluar identifikimin etnik politikë në dëm të barazisë e drejtësisë qytetare, në dëm të integrimit të njerëzve e territorit, në dëm të përbashkimit e funksionalizimit të resurseve e tregut.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të debatojmë në Kuvend për dialogun. Është tejet e rëndësishme që ky vazhdim i dialogut pa diskutim, pa legjitimitet, pa përfaqësim serioz e pa mbikëqyrje të ndalet. Është jetike për Kosovën që vendimmarrja të kthehet në Kuvend.

Qëndrimi i GP të PDK-së, se meqenëse një pjesë e opozitës po e bojkoton votimin në Kuvend, as PDK nuk do të votojnë nismat e opozitës është i pakuptimtë. Koalicioni qeverisës ka përgjegjësi karshi shtetit, e veçanërisht karshi dialogut të cilin po e vazhdojnë. Këtë përgjegjësi ata duhet ta bartin veçanërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku i japin llogari deputetëve e qytetarëve.

Ndërkohë që deputetët 58 e opozitës janë më shumë se të mjaftueshëm që ta thërrasim seancën e jashtëzakonshme për këtë debat. Jo për të mirën e PSD-së, por për interes të Kosovës.