Yllit të Shqipërisë i del një problem i madh me skuadrën e tij

Mesfushori shqiptar që aktualisht është pjesë e skuadrës së PAOK-ut, Ergys Kaçe, nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin nga Selaniku për rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit që do të nisë.

Sport

02/08/2016 10:29

Sipas mediave helene, në zyrat e klubit bardhezi nuk janë kundër largimit të 23-vjeçarit shqiptar, por ende nuk ka mbërritur një ofertë konkrete.

“E vërteta është se palët nuk kanë arritur një marrëveshje ekonomike që t’i kënaqë të dyja palët”, shkruan Sportdog.gr.

Në këtë mënyrë, PAOK ka nisur të mendojë për pasuesin e shqiptarit dhe kërkon një lojtar grek. Në radhë të parë qëndron 22-vjeçari i Panionios, Emmanouil Siopis, i cili ka rënë në sy gjatë sezonit të shkuar.

Aktualisht, Kaçe nuk është grumbulluar ende me skuadrën duke vazhduar pushimet pas Evropianit. Ai nuk luajti ndaj Ajaxit në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa pritet të të mungojë edhe në ndeshjen kthyese, çka mund të jetë një sinjal për lamtumirën e mundshme të lojtarit nga PAOK-u, klubi ku u rrit profesionalisht.