Yjet për hotelet kosovare, nga 30 qershori

Deri më 30 qershor, të gjitha objektet hoteliere në Kosovë duhet të aplikojnë për klasifikim dhe kategorizim. Pas kësaj date, ato që nuk aplikojnë, nuk mund t’i mbajnë yjet, thonë zyrtarë të MTI-së.

Lajme

06/04/2014 16:23

Objektet hoteliere në Kosovë mund t’i mbajnë yjet e tyre vetëm deri më 30 qershor. Pas kësaj date, nëse pronarët e tyre nuk aplikojnë për klasifikim dhe kategorizim – duhet t’i heqin ato. Kështu thotë për Radio Kosovën udhëheqësi i komisionit të formuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Hysen Sogojeva.

“Deri në këtë datë ata mund t’i mbajnë yjet që kanë, nuk ndiqen nga Inspektorati, mirëpo pas kësaj date, ata që nuk aplikojnë janë të detyruar t’i heqin yjet, për arsye se nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen procesit të kategorizimit, edhe pse kjo nuk është e obligueshme”, thotë Sogojeva.

Klasifikimi dhe kategorizimi bëhet në përputhje me udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, sipas të cilit janë paraparë kushtet dhe kriteret përkatëse. Në komisionin vlerësues, përveç kryesuesit nga MTI-ja, bëjnë pjesë edhe tre anëtarë të shoqatave të turizmit dhe një nga shoqata e arkitektëve. Sogojeva thekson se tashmë ka filluar edhe aplikimi i subjekteve.

“Në momentin kur aplikon subjekti hotelier, ne jemi të detyruar brenda 30 ditësh t’i japim përgjigje, dhe shpresoj që deri në fund të muajit, eventualisht në fillim të muajit të ardhshëm do të lëshohen certifikatat e para”, thotë ai.

Certifikatat do të jenë për afatin katërvjeçar. Por Sogojeva thekson se përveç kategorizimit mund të bëhet edhe rikategorizimi, kur subjektet – nëse i përmirësojnë shërbimet – mund të aplikojnë për yje shtesë, ose e kundërta – mund t’iu hiqen ato.

Ky proces zhvillohet falas dhe është në të mirë të promovimit të objekteve hoteliere, shton Sogojeva,

“Ne presim që një numër i madh do të kategorizohet, por presim që një pjesë nuk do të kategorizohet për arsye se për t’u kategorizuar duhet të plotësohen disa kushte, nëse i figurojnë tre yje, ai në të vërtetë duhet të ketë tre yje”, shprehet ai.

Sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, në Kosovë janë rreth 9 mijë subjekte që merren me veprimtari shërbyese, kurse subjekte që merren me akomodim janë mbi 400, ku përfshihen hotelet, motelet, kampingjet apo fshatrat turistike, të cilat kanë rreth 7 mijë shtretër.

Sipas vlerësimeve, gjatë vitit shfrytëzohen rreth 60 për qind e kapaciteteve hoteliere.