Yanukovych ankohet në Gjykatën Evropiane

Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych dhe dy djemtë e tij, kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për sanksionet që ndaj tyre ka vënë Bashkimi Evropian.

Bota

05/08/2014 13:39

Familja Yanukovych ka kërkuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian që të anulojë rezolutat e miratuara më 5 mars  dhe 15 prill të këtij viti, në bazë të të cilave anëtarëve të kësaj familje u është ngrirë pasuria dhe njëkohësisht u mohohet hyrja në Bashkimin Evropian.

“Këshilli i Bashkimi Evropian nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për t’i vënë këto sanksione, prandaj vlerësojmë se vendimet  ishin të motivuar politikisht”, thuhet në padinë që familja Yanukovych ka dorëzuar në gjykatë.

Yanukovych ndodhet në Rusi, që kur u largua nga posti i tij si president në shkurt të këtij viti, pas presionit të protestuesve në Kiev, që e akuzon presidentin për bllokim të proceseve integruese në strukturat euroatlantike.  

Yanukovych, të cilit edhe pajisjet e banjos në shtëpi i janë gjetur të flakëruara në ari, ka thënë të martën se ngrirja e pasurisë së tij në Evropë, cenon “të drejtën e pronësisë”, që siç ka thënë ai, është e garantuar nga Karta e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore të Njeriut.