Xhudo mban primatin e sportit më të suksesshëm në Kosovë edhe në vitin 2017

Sporti i xhudos i cili cilësohet edhe krenari kombëtare në Kosovë, ka vazhduar me suksese të mëdha edhe përgjatë vitit 2017.

Sport

31/12/2017 22:14

Xhudistët tanë të udhëhequr nga kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, u paraqitën me suksese të mëdha në njërin nga eventet më të rëndësishëm të xhudos për vitin 2017, ‘Grand Slamin’ e Parisit që u mbajt në muajin shkurt.

Për Majlinda Kelmendin ‘Grand Slami’ i Parisit ishte i një rëndësie të veçantë në disa aspekte. Ajo kërkonte paraqitje të mirë në turneun e parë të rëndësisë së madhe pas Rio 2016, për të ruajtur vazhdimësinë e sukseseve dhe për të dëshmuar se jo rastësisht është numër një në sportin e xhudos në kategorinë e femrave.

Përveç tjerash, Kelmendi kërkonte edhe të mbronte tre titujt radhazi të fituara në këtë turne në vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Përgatitja e lartë dhe dëshira e madhe për të lartësuar edhe një herë në Francë flamurin e Republikës, ishin shtytje për ‘mbretëreshën e xhudos’ që të fitonte një tjetër medalje të artë në Paris.

Në këtë ‘Grand Slam’, Kosova fitoi edhe një medalje të bronztë nga Distria Krasniqi, që kishte arritur deri në gjysmëfinale.

Muaj i suksesshëm për xhudon në vitin 2017, ishte edhe muaji prill, kur Kosova fitoi tre medalje të arta ndërkombëtare.

Fillimisht, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova triumfuan në kategoritë e tyre në Grand Prixin e Antalisë duke i sjellë dy medalje të arta Kosovës.

Pak ditë më pas, Kosova u paraqit denjësisht edhe në Kampionatin Evropian të mbajtur në Poloni, ku Majlinda fitoi të artën për të dytin vit radhazi e Distria të bronztën.

Pjesa e dytë e këtij viti u përshkrua me humbjen e Majlindës në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të xhudos në Budapest të Bullgarisë, e cila u penalizua për sukses shkaku i lëndimit, ku më pas u detyrua t’i nënshtrohet një operimi në ligamentin kryqëzor, për ta pasur të pamundur pjesëmarrjen në gara në pjesën e mbetur të këtij viti.

Por, për t’i dhënë shije të mirë vitit 2017 për Kosovën në përgjithësi e për sportin e xhudos në veçanti, u përkujdesën Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

E para fillimisht fitoi të artën në Kampionatin Evropian U23, ndërsa pak ditë më pas së bashku me Norën fituan dy medalje të artë në Grand Prixin e Hagës në Holandë./Lajmi.net/