Xhokeri i fundit për jetën a vdekjen e Maqedonisë

S’ka rrugëdalje nga kriza që nuk çon në përplasje. Gruevski nuk dorëzohet e shkon në qeli vetë. Kjo do të ishte kundër natyrës së tij dhe kundër bilancit logjik: me shkatërrimin e shtetit nuk humb asgjë, ngaqë vetë e ka ndërtuar dhe e konsideron artificial. Topi është tek të tjerët. E këta janë të pafuqi dhe të hutuar. Çka ka mbetur si alternativë?

Lajme

12/04/2017 12:29

Subjekti i pafajshëm dhe i akuzuar ka interes të hetohet për të shkundur hipotekat e padrejta nga vetja. Njeriu i fajshëm, deri në çastin e fundit, bën çmos që të mos i dorëzohet drejtësisë ngase e dinë që nuk del më nga qelia. Nuk rrënohet vetëm ai por edhe e gjithë piramida që ka ndërtuar.

Cila është piramida e kuazinapoleonit nga fundballkani?

Nikolla Gruevski nuk e ka hall as shtetin e as identitetin. Ngase të dyja këto i ka sajuar dora vetë dekadave të fundit dhe si duket beson gjithçka rreth tij të jetë artificiale: statujat, identiteti, shteti monoetnik e sidomos Maqedonia shumetnike e multikulturore. Nga ky prizëm duhet analizuar e psikologjisur lehtësinë e tij aq kategorike për të djegur shtetin për interesa personale. Veten e konsideron si më faktik, real dhe çmueshëm se gjithë atë distopi me emrin Maqedoni, atë shoqëri të lidhur ndër veti me fije imagjinare. Nuk vdesin të mençurit për punë fantazmash – këtë moto jete e manifeston Gruevski me sjelljen e tij.

Reale është mafia e tij e pardesyzuar me partinë e kapur politike VMRO. Reale janë falangat e tij që i bën gati për luftë, madje edhe banesave private të Shkupit, ku tashmë edhe gratë ushtrojnë me çiftet e tyre që nuk shkrepin edhe po i vadite në vaj ulliri. Nga lartë poshtë gjysmëhartës së vendit vijnë fotografi grupesh paramilitare, popash me kallashnikovë dhe komitësh të çartur me mjekrat si ata të brigadave apartizane të LDB-së në Serbinë fqinje.

Se situata ende nuk është përflakur ka të bëjë me zgjuarsinë e gjithë tjerëve. Veçanërisht shqiptarëve, të cilët nuk lejojnë të provokohen e instrumentalizohen. As nga njëra e as nga tjetra palë. Kur themi shqiptarëve e kemi fjalën tek popullata, jo tek partitë shqiptare. Aspak nuk  mund të asociojmë këtë sjellje të mençur me dy partitë politike si BDI dhe destruktivja «Besa». Njëra ende mban ministrat në qeverinë pseudoteknike të VMRO-së e tjetra mezi pret të ikin të parët që t’i delegojë të vetët. (Deri më tash janë regjistruar takime të shumta të «jeniçerëve» me eksponentë të ndryshëm të Mijallkovit, i cili ua mundësoi sidomos përhapjen mediale dhe shitjen e monumenteve kulturore historike shqiptare Katarit dhe Turqisë).

II.

Përtej këtyre lojërave situata dita ditës rrezikon të eskalojë. Nuk nevojitet shumë që lufta agresive VMRO – shqiptarë të hyjë në stadin fizik konfrontues të sajë. Tjetër shpëtim Gruevski nuk ka. Zaevi nuk është as për paqe as për luftë. Deklaratat dhe ecevajtjet ambasadave të huaja nuk do e ndihmojnë ta formojë qeverinë. Këtë e dinë Gruevski bukur, prandaj vepron sikur të jetë i bindur se nga korridori i Shutkës e më vonë ndoshta Hagës vetëm nacionalizmi, shovenizmi, fashizmi mund ta shpëtojnë dhe hiçgjë tjetër.

Tangoja e Gruevskit vazhdon. Maqedonia zhytet krizës edhe më e thellë dhe gjendet përballë këtyre «alternativave»: 1. Zgjedhje të reja ku sërish fiton Gruveski 2. Dorëzim karshi Gruevskit që ai të formojë qeverinë 3. Përplasja luftarake shqiptaro-vmro ose 4. Jeta në krizë duke iu lutur atyre shumë zotave aty që Gruevskin dhe të tijtë t’i shkelë ndonjë autobus i prishur i kohës.

Ose?

III.

Përveç Serbisë që mpreh dhëmbët drejt Kishës në Ohër dhe nuk del nga paranoja e ëndrrës për «vardarska banovinën», gjitha shtetet e rajonit janë në gjendje gatishmërie. Shumica prej tyre, përveç Shqipërisë, tashmë kanë vizatuar hartat secila për copën e vete të mundshme që do t’ia shtonte territorit. Ndoshta kjo do të ishte zgjidhja më racionale afatgjate, mirëpo këtë e kundërshtojnë dy argumente: Bashkësia Ndërkombëtare dhe bota tjetër e civilizuar e cila nuk pranon më zgjidhje ku kufomat e shumta të civilëve do të përbënin tavolinën e tregtimeve të mëvonshme politike.

Çka ka mbetur? Si të dalë ky vend kaq keq i çorientuar, përhumbur dhe para përmbysjes nga kriza? Të gjitha analizat e mundshme e thonë: Maqedonia dogji të gjitha resurset e veta për të ruajtur paqen, ngase shumicën politike e përbën jo politika por mafia e saj. Shteti është kapur aq keq saqë tashmë merret si modeli më i ri i përvetësimit eklatant të demokracisë dhe sistemit politik nga krimi i organizuar dhe atë para syve dhe me aminin e të gjithëve. Pas simbiozës së «natyrshme« demokraci-kapitalizëm, ballkanasit na mësuan edhe për afinitetin tjetër të demokracisë pluraliste, atë të mafizimit.

Ka mbetur vetëm edhe një shteg.

Zaevi me partitë politike shqiptare e sabotojnë pjesëmarrjen në sistem dhe nga jashtë e shkruajnë një platformë të re, pardon, një deklaratë të përbashkët dhe fondamentale drejtuar BE-së, NATO-s dhe vendeve tjera të rëndësishme perëndimorepër intervenim në segmentet e sigurisë, drejtësisë dhe ruajtjes së paqes. Vetëm me një kërkesë të tillë fuqitë ndërkombëtare në rajon mund ta bënin planin legjitim. Arsyetimi është i dhënë: një parti nuk pranon rregullat e demokracisë pluraliste, shet dhe vjedh kapacitetet ekonomike të vendit, është e korruptuar në përmasat e mafisë dhe nxitë luftën, në të cilën nuk duan të marrin pjesë të nënshkruarit. Vetëm me këtë asistencë shpëton Maqedonia në plan afatgjatë. Vetëm me këtë mbështetje rifunksionalizohet demokracia pluraliste dhe instalohet shteti i se drejtës, ku Gruveski mund të banonte vetëm në burg e askund tjetër. Kjo lojë qesharake me platforma ndryshe nuk merr fund dhe Maqedonia nuk do shpëtojë as si utopi e lere më si konstruksion real.