“Xhokerët” e Demarkacionit

Koalicioni qeverisës i ka siguruar 79 vota të deputetëve për ta miratuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

16/03/2018 08:10

Kalkulimet po bëhen se të martën e ardhshme marrëveshjen do ta votojnë deputeti i Listës Serbe, Adem Hoxha, Dukagjin Gorani apo Shqipe Pantina nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për të katërtën herë më radhë brenda katër javësh koalicioni qeverisës do të provojë ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Vazhdimi i seancës për ratifikimin kësaj marrëveshjeje pritet të mbahet javën që vjen, gjegjësisht të martën.

Duke filluar në orën 16:00 koalicioni do ta dëshmojë përfundimisht nëse i ka apo jo numrat për ta përmbyllur Marrëveshjen e Kufirit.

Pas caktimit të seancës kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i bindur se Marrëveshja e Vjenës do të marrë epilog ditën e martë.

Megjithëkëtë, asnjëri prej partnerëve të koalicionit nuk ka njoftuar se kush do ta mundësojë kalimin e marrëveshjes, deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të Grupit të Deputetëve të Pavarur apo ata të Listës Serbe.

Ndërkohë, deri më tash është bërë e ditur se koalicioni ka siguruar 79 vota gjithsej, pas rikthimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi në AAK.

Kalkulimet e zyrtarëve shtetërorë po bëhen se të martën e ardhshme marrëveshjen do ta votojnë deputeti i Listës Serbe, Adem Hoxha, apo Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Për më tepër ky i fundit nuk pati votuar kundër, por pati abstenuar në Komisionin për Punë të Jashtme kur është vendosur për ta proceduar marrëveshjen në Kuvend